Si duhet ta lexojmë raportin e fundit të “USAID” për të drejtat e njeriut në vendit tonë?
Siç e lexon qeveria, e cila njeh në atë dokument disa arritje të rëndësishme apo siç e lexon opozita, e cila këmbëngul se raporti konfirmon denoncimet e saj për korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë?
Ajo që është shkruar e bardha mbi të zezë në këtë raport është se: “në 2017-n u regjistruan zgjedhjet më të mira në historinë e vendit, patëm rezultate të qarta në luftën kundër korrupsionit, avancuam në reformën historike të sistemit të drejtësisë, si dhe njohëm një përparim të vazhdueshëm në drejtim të barazinë gjinore”.
Nga ana tjetër, ka material të mjaftueshëm edhe për ata që duan të bëjnë polemikë, pasi raporti gjithashtu shkruan se “korrupsioni dhe pandëshkueshmëria janë të përhapur, e se të drejtat e pronës nuk respektohen ende në standartet e kërkuara”.
Bazuar në këto fraza, portale të “kazanit” mediatik kanë nisur një fushatë negative, me në të së cilës përpiqen të përligjin të njëjtën retorikë të përdorur në përpjekjet për bllokimin e negociatave të vendit në Parlament.
Leximi i paragrafit të korrupsionit, i shkëputur nga tërësia e dokumentit, është në fakt një përpjekje e ulët për të krijuar një alibi për bojkotin e Parlamentit dhe protestat e nisura në vend.
Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria, raporti e nënvizon, janë probleme historike që mundojnë Shqipërinë prej 30 vitesh.
Kjo nuk duhet të shërbejë si një alibi. Fakti që këto fenomene janë të pranishëm nuk do të thotë që duhet të vazhdojnë të jenë të tillë, por e rëndësishme është të theksohet se përpjekjet e qeverisë në këtë drejtim po japin rezultat.
Raporti e thotë troç se vendi po ecën në rrugën e duhur. “Gjatë vitit të kaluar, hapa të mëtejshëm u ndërmorrën në luftën kundër korrupsionit”, shkruhet në këtë dokument.
Ngritja e institucioneve të vetingut është një pikë e fortë në vlerësimin e “USAID”.
Pandëshkueshmëria në nivele të larta mbetet ende një problematikë, por vetingu ka nisur të japë rezultatet e tij, siç tregohet edhe nga rritja e numrit të denoncimeve dhe çështjeve penale të nisura ndaj funksionarëve të të gjitha niveleve.
Midis janarit dhe gushtit, referuar raportit, nisën 185 hetime ndaj funksionarëve shtetërorë për çështje korruptive, ndërsa në të njëjtën periudhë, 122 persona dolën në gjyq dhe 99 prej tyre u dënuan.
Kjo tregon se muri i pandëshkueshmërisë është shembur një herë e përgjithmonë dhe se sistemi i ri ka nisur të funksionojë, edhe pse është e qartë për të gjithë që do të dojë kohë që rezultatet të konsolidohen.
Ndërkohë, dokumenti i “USAID” njeh përparime të rëndësishme edhe në disa aspekte të tjera të rëndësishme për vendin.
Barazia gjinore mbi të gjitha, ku në fjalët e amerikanëve vendi ka shënuar një rekord për të cilin mund të jetë krenar, por edhe liria e medias apo tregues të tjerë të rëndësishëm,
Ndryshe nga sa “kazani” kërkon të bëjë të besojmë, ky raport nuk thotë asgjë të jashtëzakonshme.
E vetmja e vërtetë është se po, Shqipëria është një vend ende me shumë probleme, por është gjithashtu një vend që po ecën përpara dhe po punon me vendosmëri për të korrigjuar këto fenomene që ende mundojnë shoqërinë shqiptare.
Pak ditë pas rekomandimit historik për hapjen e negociatave, ky raport nuk është një “gur varri” mbi përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim, por një “gur themeli”, mbi të cilën duhet të punojmë për t’u përmirësuar edhe më tej.