Për Nadir Çaushollin e “CFO-Pharma” vlen më së miri shprehja “pas një te keqe, vjen një e mirë!”
Në mes të korrikut të këtij viti, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) e përjashtoi kompaninë farmaceutike për një vit nga përfitimi i kontratave publike, për shkak të abuzimeve në një procedurë tenderuese të zhvilluar nga Spitali Psikiatrik i Vlorës.
Por, pa kaluar dy javë nga ky penalitet, “CFO Pharma” merr një dhuratë, kësaj radhe drejtëpërdrejtë me firmën e kryeministrit të gjithëpushtetshëm, Edi Rama.
Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), në një mbledhje të zhvilluar së fundmi, miratoi “Leje Ndërtimi për objektin: “Agropylltari, bujtina dhe fermë në funksion të agropylltarisë”, me vendndodhje në Autostradën Tiranë – Elbasan, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “CFO Pharma” sh.p.k”.
Çausholli është një personazh i njohur në botën e biznesit, por edhe në atë të kronikës së zezë.
Disa vjet më parë, kur ai drejtonte shoqërinë “Omega Pharma”, u arrestua si i përfshirë në një skemë mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve në një vlerë mbi 2 milionë euro.
Pasi bëri disa muaj paraburgim, Nadir Çausholli u lirua nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Ai iu rikthye biznesit farmaceutik, duke ndryshuar emrin e shoqërisë, nga “Omega” tek “CFO Pharma”.
Tani me ndihmën e Ramës, ai ka vendosur të shndërrohet në fermer. Natyrisht, jo fermer i rangut të ulët, të cilit i duhet të punojë me parmendë. Por, një fermer i sërës së lartë, me biznes agroturizmi.