Teuta tregon simptomat e skuadrave shqiptare në minutat e fundit në Evropë.
Në Dublin, Teuta pësoi një humbje në shtesën e ndeshjes kundër Shamrock Rovers, duke shpërdoruar një shans të artë për të shkuar me barazim në duelin e kthimit.
Ndeshja u administrua më së miri nga durrsakët, që bën një paraqitje shumë të mirë në mbrojtje.
Portieri Svivi Frashëri bëri disa ndërhyrje mjaft të mira.
Në minutën e parë të shtesës, Emakhu përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes së Teutës për të shënuar nga një pozicion i afërt.
Sfida e kthimit do të luhet të enjten e ardhshme në stadiumin “Niko Dovana”.
Anderlecht nuk e lë Laçin të ëndërrojë! Belgët kanë fituar ndaj kurbinasve me rezultatin 3-0 dhe bardhezinjtë e dinë mirë që tani duhet të zgjohen dhe të mendojnë për sezonin e ri në Superiore, pasi shkruan historinë dhe shkuan deri në turin e tretë të Conference League.
Episodet ishin ato që vendosen, në pjesën e parë, që ishte e mirë për Laçin deri në momentin që pësuan. Dy goditje këndi u konkretizuan me gola nga Anderlecht, fillimisht me Delcroix dhe më pas me Hoedt, ndërkohë që Lushkja ishte munduar të kërcënonte nga distanca.
Topi shkoi ngjitur me traun e portës dhe shifrat nuk u bënë 1-1. Belgët shkuan në dhomat e zhveshjes me epërsinë e dy golave dhe nuk vonoi edhe i treti, me Rafaelov, i cili nuk ngurroi të gjuante nga jashtë zone dhe të gjente të papërgatitur Sherrin.
Ignjatovic më vonë i mohoi golin e katërt afrimit të fundit, Joshua Zirkzee, ndërsa në fundin e ndeshjes Prenga me një goditje këndi testoi portierin e Anderlecht dhe mori përgjigjen e duhur. Nuk ka gol nderi, e as “pokeri”, me belgët që triumfojnë 3-0 dhe janë praktikisht në play-off.