Ulja në tryezë e palëve politike në kuadër të reformës zgjedhore ka ndezur debatet në sferën politike, si edhe ka sjellë reagime pozitive nga radhët e opozitës, ndërkombëtarët dhe nga mazhoranca. Deputetët e opozitës së re janë ata që nuk kanë mbetur të kënaqur fort nga ky dialog. Tryeza ka ardhur pas një sërë kërkesash nga ana e ndërkombëtarëve për dialog.
Sakaq kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi duket se është e një mendimi me ndërkombëtarët tani më, pasi pak kohë më parë opozita shprehej se nuk do të ulej në tryezë me PS. Përmes një postimi në Facebook, Kryemadhi bëri thirrje që mos të humbet kohë, por t’u mundësohen shqiptarëve zgjedhje të lira dhe pa presionin e bandave. Kryetarja e LSI theksoi se opozita mori përgjegjësinë e saj përpara qytetarëve shqiptarë për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman, për të bërë të mundur hapjen e negociatave në Samitin e Zagrebit.
Mes të tjerash, Kryemadhi tha se pas dakordësisë së opozitës në unison, tashmë i takon mazhorancës që të tregojë se është e gatshme të mos mbajë më peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë. “Integrimi Evropian i Shqipërisë nuk mund të sakrifikohet për asnjë arsye. Gjithëpërfshirja dhe dialogu politik janë të vetmet rrugë me të cilat mund të realizojmë reformat e nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj pa humbur kohë të miratojmë një reformë zgjedhore që u mundëson qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur të lirë, pa presionin e bandave, intimidimin me vendin e punës dhe nën kërcënimin e levave të pushtetit.
Opozita sot mori përgjegjësinë e saj përpara qytetarëve shqiptarë për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për të bërë të mundur hapjen e negociatave në Samitin e Zagrebit. Kjo pikë ka qenë deri tani e vetmja alibi e pushtetit për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për dështimet e saja në integrimin evropian të vendit”, ka deklaruar Kryemadhi.
Ajo tha se opozita, me marrjen e përgjegjësisë për të vetmin kusht që duhet kontributi i saj për të zhbllokuar integrimin në BE, tregoi që mbi interesat partiake apo llogaritë meskine elektorale, vendos të parën të ardhmen e shqiptarëve.