Këto janë pjesë të transkriptit marrë nga salla ku u gjykua për masat e sigurimit të Erion Veliajt, Ajola Xoxes, Elman Abules dhe bisnesmenëve Fatmir Bektashi, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, dhe Meriman Palushi.
Nëse do dëgjohej i gjithë debati në audio dhe nëse do të shihej në video fytyra e çakërryer e prokurorit Ols Dado, pasthirrmat dhe xhestikulacionet e tij të natyrës psiqike, çdo jurist, politikan, ndërkombëtar apo fshatar do ndjehej më shumë se sa keq. Ashtu si ndjehej gjyqtari Erjon Bani që kur e qetësonte prokurorin e ngrehur gati në shpërthim, mendonte me vete “Përse gjetën këtë budalla sot, a nuk kishin tjetër?!”
Ashtu si ndjehej edhe vetë Altin Dumani për prokurorin që po ia nxirrte gjyqin jo vetëm nga binarët etikë, por po e rrëzonte komplet çështjen bashkë me kamionin e bukur të SPAK.
Të turpshme ishin gjestet, sjelljet, thëniet e Ols Dados që më në fund e prezantoi “noterin” e fshehur brenda tij prej vitit 2008. Por më e turpshme është heshtja e qeverisë së drejtësisë me KLP, ILD dhe KLGJ kur u njoftuan se në sallën e 12 shkurtit “u bë nami”.
Papastërtia leksikore e Ols Dados na kujton pisllëkun e prokurorëve të pagdhendur të “plepave” menjëherë pas verës së 1991, ndërsa fytyra e tij hakërryese nuk ka asnjë dallim nga një i burgosur që ka kryer krimin e gjakmarrjes i yshtur nga merita e ndëshkimit kanunor.
Po tani, kush do ta sistemojë një Prokurori që ka vidhosur në shpirtin e saj të tilla “Dado”? Përse rekrutimi KLP-ist nuk i dëgjoi asnjëherë hungërimat e tyre në salla gjyqi?
Sigurisht që kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, nuk e njeh Ols Dadon, as aftësinë e tij për Shkrim dhe Arsyetim Ligjor, kur tha dje në një tryezë të arritjeve të SPAK:
“Kjo është një situatë e re që vendi ynë është vendosur dhe jo vetëm vendi ynë, por e gjithë shoqëria jonë… ku diskutohet çdo vendim apo çdo masë sigurimi dhe çdo sjellje e një prokurori, i çdo qelize të punës së tij, që është njësoj sikur të rrijë një njeri me mua 24 orë dhe të komentojë çdo sjellje timen; do ta kem të pamundur të realizoj një funksion, një detyrë, aq më tepër kur është detyrë ligjore apo kushtetuese, kështu që mendoj se duhet t’i japim kohën e duhur të gjithëve për të treguar që dinë ta bëjnë detyrën e tyre ose që kanë gabuar.”
Por zonja Bogdani, pasi të lexojë dhe dëgjojë transkriptin “Dado”, do duhet t’i tregojë vetes dhe opinionit publik: Sa duhet të gabojë një prokuror që të mos quhet vrasës i Reformës në Drejtësi?
Prokurorët “Dado” ne kemi zgjedhur që të heqim bukën e gojës nga fëmijët tanë, për t’i paguar me 70-80 mijë euro në vit. Hetuesit e tipit “Gurguri”, me më shumë se gjysmën e kësaj shume i paguajmë, për të hetuar në mes të ditës dhe jo në skutave të natës…
Baballarët e Reformës “amerikane” në Drejtësi na detyrohen sot një shpjegim: Si mundi të futej një dadiçek i tillë në gomat e paçpueshme të kamionit SPAK?