Media britanike aktualisht duket tërësisht e fokusuar te shqiptarët.
Së fundmi, “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull edhe artistëve shqiptarë, të cilët promovojnë dhunën, drogën dhe krimin në këngët e tyre.
Prestigjozja britanike raporton se reperët gangesterë shqiptarë kanë xhiruar një videoklip me automjete ushtarake të pajisura me mitralozë të rëndë rreth një banese britanike, për një këngë që lavdëronte krimin dhe dhunën e drogës.
Grupi në fjalë është Hellbanians, duke xhiruar videon e këngës së sapo publikuar, “Poppin Smoke”, ndërsa reperët përshkruhen si “burra të frikshëm e të maskuar si danditë.
“Daily Mail” hedh dyshime se grupi muzikor është i lidhur dhe me një bandë kriminale, që sipas tyre vepron në Londër me të njëjtin emër.
“Ata kanë të njëjtin emër si një bandë e dhunshme e tregtarëve shqiptarë të drogës që ka terrorizuar zonën prej vitesh. Dyshohet se videot, me reperët me bazë në Barking, Ervin Selita, që aktualisht besohet se është në burg në Shqipëri në pritje të gjykimit për një vepër të dyshuar me armë zjarri, dhe Fatjon Dibra – po inkurajojnë të tjerët në Shqipëri të hyjnë ilegalisht në MB për t’u bashkuar me bandat kriminale.”- thuhet në artikull.
Nga ana tjetër, citohet dhe raportimi i gazetarit, Muhamed Veliut, i cili tregon se kjo këngë lavdëron dhunën dhe drogën.
“Këto këngë janë duke lavdëruar dhunën dhe drogën dhe tregojnë një mënyrë jetese luksoze,” tha Muhamed Veliu.
“Të rinjtë i shikojnë këto video dhe duan të transferohen në Britani për të shijuar këtë pasuri. Ato ndihmojnë në tërheqjen e më shumë rekrutëve për bosët e bandave.’-thuhet më tej në artikull.