Departamenti i Administratës Publike ka reaguar pas sulmeve politike të LSI kundrejt drejtoreshës së AZHBR Frida Krifca dhe atij të ARSH, Afrim Qendro. Këto dy drejtori drejtoheshin nga LSI më herët, ndaj kjo e fundit është vënë në sulm të drejtuesve të rinj.
Por DAP jep një sqarim të detajuar ligjor për të dy rastet duke nxjerrë edhe njeherë LSI-në blof.
Sa i përket rastit të zonjës Krifca, DAP saktëson se kjo e fundit është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (Agjencia e Pagesave) në datë 17.07.2017, në përputhje me pikën 4, të Nenit 21 të ligjit 9817/ 2007 ‘Për bujqësinë dhe zhvillimin rural’. Sipas këtij neni, Drejtori i kësaj agjencie, emërohet dhe lirohet nga Kryeministri me propozim të ministrit përgjegjës për çështjet e bujqësisë.
Ndërsa sa i përket zotit Qendro, DAP sqaron se mban detyrën e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, që prej datës 16.10.2013. z.Qendro zëvendëson drejtorin e përgjithshëm të këtij institucioni, pas largimit të këtij të fundit nga kjo detyrë. Sikurse parashikohet edhe në ligjin nr.90/2012 ‘Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore’, në rastet e mungesës, titullari zëvendësohet nga punonjësi me vjetërsi më të madhe në hierarki.
Lidhur me konkurrimin që po zhvillohet për anëtarët e rinj të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues, DAP sqaron se, znj.Krifca dhe z.Qendro kanë shprehur interesin e tyre për t’u bërë pjesë e kësaj trupe, e drejtë kjo e çdo personi që përmbush kriteret për të aplikuar, por nuk janë paraqitur në testim, e për këtë arsye emri i tyre nuk rezulton në listën paraprake të fituesve.
Shprehja e dëshirës së dy kandidatëve për t’ju bashkuar Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues nuk mund të përdoret si një sulm ndaj ligjshmërisë së detyrës që këta persona ushtrojnë aktualisht./LEXO.AL
SQARIMI I PLOTË I DAP:
SQARIM!
Nisur nga reagimi publik i një partie politike, ngritur mbi bazën e keqinformimit, lidhur me emërimin e dy drejtorëve në kundërshtim me ligjin, Departamenti i Administratës Publike, sikurse ka sqaruar edhe deputetin z.Endrit Braimllari, nëpërmjet shkreses nr. 932/3, datë 19.03.2018, dëshiron të sqarojë opinionin publik se:
z.Afrim Qendro dhe znj.Frida Krifca ushtrojnë detyrën e tyre në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Për qartësi të opinionit, znj.Frida Krifca është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (Agjencia e Pagesave) në datë 17.07.2017, në përputhje me pikën 4, të Nenit 21 të ligjit 9817/ 2007 ‘Për bujqësinë dhe zhvillimin rural’. Sipas këtij neni, Drejtori i kësaj agjencie, emërohet dhe lirohet nga Kryeministri me propozim të ministrit përgjegjës për çështjet e bujqësisë.
Ndërkohë, z.Afrim Qendro, mban detyrën e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, që prej datës 16.10.2013. z.Qendro zëvendëson drejtorin e përgjithshëm të këtij institucioni, pas largimit të këtij të fundit nga kjo detyrë. Sikurse parashikohet edhe në ligjin nr.90/2012 ‘Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore’, në rastet e mungesës, titullari zëvendësohet nga punonjësi me vjetërsi më të madhe në hierarki.
Lidhur me konkurrimin që po zhvillohet për anëtarët e rinj të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues, sqarojmë se, znj.Krifca dhe z.Qendro kanë shprehur interesin e tyre për t’u bërë pjesë e kësaj trupe, e drejtë kjo e çdo personi që përmbush kriteret për të aplikuar, por nuk janë paraqitur në testim, e për këtë arsye emri i tyre nuk rezulton në listën paraprake të fituesve.
Shprehja e dëshirës së dy kandidatëve për t’ju bashkuar Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues nuk mund të përdoret si një sulm ndaj ligjshmërisë së detyrës që këta persona ushtrojnë aktualisht.
Departamenti i Administratës Publike, si institucion përgjegjës për menaxhimin e burimeve njerëzore, distancohet nga debate të tilla të cilat nuk i shërbejnë synimit kryesor që ka aktualisht vendi për ngritjen e një administrate civile profesionale, të përgatitur dhe të aftë për t´ju përgjigjur sfidës së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Reforma në administratën publike e veçanërisht transparenca e rekrutimeve në shërbimin civil është një nga proceset e vlerësuara maksimalisht vitet e fundit edhe nga institucionet ndërkombëtare.