Darka jo formale e liderëve të Ballkanit Perëndimor këtë mërkure të 11 majit që pritet të shtrohet në Bruksel nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, po shihet si “shfaqje pa përmbajtje” dhe takim koti e pa ndonjë rezultat nga analisti politik Shemsi Jashari.
Jashari thotë për Albanian Post se nga takimet që kishin përmbajtje tani po shohim darka e dreka që sipas tij, “shërbejnë për foto dhe asgjë tjetër”.
Ai konsideron që situata e sigurisë dhe zhvillimet në rajon kërkojnë dinamikë të shtuar dhe qasje serioze në dialog, me një agjendë të qartë e një afat për përmbylljen e këtij procesi.
“Pa prezencën e fuqishme të amerikanëve në këtë proces nuk do të ketë marrëveshje e as ecje përpara me një BE që nuk e di çka do, pa një strategji unike për Ballkanin”, thekson Jashari.
Jashari potencon se Kosova duhet të marr pjesë në takime, “por rezultate nuk pres pa presionin e SHBA-së, pasi BE s’ka as vullnet, e as strategji të qartë as për mënyrën si të arrihet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë”.
Në anën tjetër, për ligjëruesin e Shkencave Politike, Dritëro Arifi, këto darka janë pozitive sepse përafrohen palët mes veti.
“Darka të tilla kanë të bëjnë me atë parimin e përafrimit të liderëve politik që ta çmontojnë atë urrejtjen që mund ekziston mes dy liderëve, pra mbahen që ta përçojnë një mesazh kompromisi dhe përafrimit të qëndrimeve, një mesazh të asaj që vendet janë të gatshme që të ulen dhe të diskutojnë çështjet që janë problematike”, ka thënë Arifi për Albanian Post.
Megjithatë, sipas tij, “në këto darka nuk mund të zgjidhen shumë çështje, por shkëmbehen ide e batuta me ironi”.
“Aty debatohen disa ide që mund të jenë risi në dialog, apo alternativa në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”.
Në këtë darkë të nivelit të presidentëve, Kosovën do ta përfaqësojë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, pasi presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurit gjenden në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vizitë zyrtare.
“Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të jetë e pranishme në darkën joformale nesër në Bruksel”, tha shkurt zyrtarja e lartë për komunikim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Qëndresa Fazliu për Albanian Post të martën e10 majit.
Darka e mëparshme joformale u zhvillua në shtator 2021 në Nju Jork në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe e para nën mandatin e Përfaqësuesit të Lartë Borrell ishte vitin e kaluar më 18 maj.
Ndërkaq liderët e Ballkanin Perëndimor raportohet se do t’i adresohen mediave pas përfundimit të darkës.
Më 4 maj edhe kryeministri i Kosovës kishte darkuar bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak në pallatin Borsig në Gjermani.
“Gjatë takimit, Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke”, thuhej në njoftimin e zyrës për media të Kurtit.
Ndërkaq dialogu në nivel të kryenegociatorëve do të vazhdojë më 13 maj, ku temë e diskutimit do të jetë çështja e reciprocitetit të targave, energjisë dhe personat e pagjetur.
/Albanianpost.com