Rezidencat e ambasadave të huaja në Shqipëri në kohën e regjimit dikatorial ishin “molla e ndaluar”. Por këtë s’mund ta besonte dot Ernest Tushe, djaloshi 17-vjeçar që dashuronte vajzën e ambasadorit italian në Shqipëri, Giuseppe Sferlazzo, i cili shërbeu në Tiranë deri në vitin 1980. Të rinjtë u miqësuan dhe ranë në dashuri, kur u panë në një fushë ku luheshin lojërat sportive. Ernesti ishte një baskebollist me trup të bukur e të gjatë, dhe Carla, vajza e ambasadorit Sferlazzo, brune me sy të bukur e buzëqeshje magjike, e me një shpirt të dlirë.
Lidhja e dashurisë me vajzën e ambasadorit, do t’i kushtonte Ernest Tushes vuajtjet e bu..rgut të Spaçit, dhe për ta çuar atje, Sigurimit të Shtetit iu deshën plot dy vjet të sajonte akuza të rreme dhe të gjente dëshmitarë. Ernest Tushe ka vetëm pak ditë që ka marrë dosjen nga Autoriteti i Dosjeve, dhe si çdo i bu..rgosur politik është befasur nga denoncuesit. Ata kanë sajuar gjithçka që historia e një dashurie të përfundonte në vitin 1981 me bu..rgosjen e tij në Spaç, internimin e të vëllait, mjekut Eduart Tushe nga Tirana në Kukës. Prindërit e tij i larguan nga puna si mësues.
Në moshën 17-vjeçare Ernestin e arrestuan në pallatet e Amabasadave, ku kishte shkuar për të takuar të Carla-n. “Shqiptarja.com” një ditë më parë publikoi dokumentet e një akt-ekspertize të bërë nga dy piktorë të njohur shqiptarë, Foto Stamo e Fatmir Haxhia. Të zgjedhur nga sigurimi u shtetit ata duhet ta cilësonin foton-kalendar të një vajze si pornografike. Ernestii I shtuan dhe akuza të tjera dhe vuajtri 8 vjet në bu..rgun e Spaçit. Tusha rrëfen dramat e persekutimit dhe për dashurinë me Carlan, që pavarësisht distancave u kthye në miqësi të perjetshme mes tyre. Për këtë fenomen të rrallë kanë nisur edhe xhirimet e një filmi italo-shqiptar.
E takoj Tushen për të vijuar intervistën dhe mësoj se vuajtjet e Spaçit nuk e kanë lënë pa pasoja. Ka vuajtur nga kanceri dy vitet e fundit dhe pas operacionit ai jeton vetëm me një të tretën e mushkërisë. Falë fizikut të fortë dhe dashurisë për jetën ai vazhdon ta sfidojë vdekjen. Në këtë intervistë zgjedhim të flasim më pak për vuajtjet e më shumë për dashurinë më të bukur të rinisë së tij.
Intervista
Kur ju e morët dosjen tuaj, çfarë ishte ajo që të befasoi më tepër. A kishte të tjera akuza përveç akt-ekspetizës së dy piktorëve Foto Stamo e Fatmir Haxhiu?
-Dosja ishte plot, se është rreth 300 e ca faqe dhe kur unë e mora, mësova shumë emra që nuk i dija që kishin dalë si dëshmitarë. Unë nuk dija se çfarë tentativash bënë për të internuar familjen time. Nuk diaj arsyen pse vëllain tim Edin, një mjek i nderuar që kishte mbaruar studimet me Medalje të Artë e internuan në Kukës. Një pjesë të mirë të akuzave i dija sepse isha paraqitur në gjykatë, por u befasova me formën dhe mënyrën sesi manipuluan çdo gjë, vetëm e vetëm që të dilja agjent i Italisë ose i ndonjë shteti tjetër. Dhe në 11 muaj hetuesi ata manipuluan çdo gjë që unë të dënohesha patjetër me akuzën për agjitacion e propagandë. Të deklarohej sikur unë kisha folur me shokët e fakultetit, të cilët më dolën dëshmitarë.
U befasove me ndonjë nga shokët që ka dëshmuar?
-Në dosje janë të gjitha emrat, dhe me një pjesë të dëshmive unë u njoha në gjyq. Në bazë të dëshmive të tyre u dënova. Kjo nuk është e re, por e reja ishte tek inkonjitot, të fshehtët, që jepnin informacione nga më të ndryshmet, të cilët nuk i nxirrnin si dëshmitarë se përdoreshin për shërbime të tjera, dhe nuk i bënin publikë.
Cilët ishin disa nga këta?
-Nuk i them me emra. Se në fakt edhe ishin me pseudonime në dosje, por nga bisedat që kam bërë në rrethanat që përshkruhen, unë arrij t’i njoh këta, duke u kthyer në kohën që kam bërë ato biseda me ata që kanë dëshmuar…
Një diplomat italian i kohës së dikaturës në një intervistë për median tonë është shprehur se në kohën e komunizmit, edhe vetë diplomatët nuk ishin të lirë të kontaktonin shqiptarët, si mundët ju të hynit në pallatet e ambasadorëve?
-Që të hyja atje nuk ma mundësoi asnjëri. Unë desha një vajzë dhe vajta ta takoja në shtëpinë e saj. Mua më nxiti dashuria që kisha për vajzën. U njohëm, e pëlqyem njëri-tjetrin dhe doja të flisja me të. Të dy të vegjël ishim, adoleshentë.
Si quhej vajza?
-Carla Sferlazzo
Ishte italiane?
-Po italiane.
Carla ta mundësoj hyrjen në rezidencën e Ambasadës?
-Po, po.
Sa vjeçe ishte ajo?
-Ajo ishte 15-16 vjeç dhe unë 17-vjeçar.
Si u njohët me Carla-n?
-Unë luaja basketboll. Ata të Ambasadës luanin tenis. Aty ku sot është Muzeu i Enver Hoxhës kanë qenë qenë fushat e tenisit. Unë stërvitesha me studentët aty. Pastaj u pamë, u pëlqyem, sepse unë flisja dhe italisht që i vogël. Kështu nisi komunkimi me të.
Edhe ju ishit një djalë i pamshëm, apo jo?
– Më të bukur se pamjen e jashtme e kishim shpirtin e bukur, të pastër. E donin njëri-tjetrin sinqerisht.
Si u ndodh kalendari për të cilin ju akuzuan për pornografi në xhepin tuaj?
-Në atë kohë ishte diçka e rrallë. Ai ishte një kalendar me një fotografi të veçantë. Ishte me reflekse, që kur e ktheje nga drita të tregonte dy pamje të ndryshme. Një gjë të tillë të tjerët nuk e kishin. Unë këtë e mbajta t’ua tregoja shokëve, si e çfarë ndodh në botë, cfarë mrekullie bën teknologjia dhe ua tregova. Në foto ishte dhe një vajzë e bukur, që as nudo nuk mund të quhej taman, ishte e rrethuar me lule.
Kemi dëgjuar shumë histori tronditëse për moshat e rritura. Si ishte kontakti i parë me qelinë e bu..rgut për një 17-vjeçar?
-Qelinë e provova pas dy vjetëve. Ata më lanë të lirë dy vjet pasi më kapën në pallater e Ambasadës, sepse kërkonin akuza, dhe pastaj më arrestuan, kur unë kasha mbushur 19 vjeç. Unë nga një djalë i llastuar, i mbajtur me gjithë të mirat përfundova në qeli. Prindërit i kisha mësues, kasha një vëlla që sa kishte mbaruar mjekësinë, dhe unë që sa kisha mbaruar Ekonomikun. Jetonin mirë. Unë isha një kalama, çfarë mund të dija unë. Ne qeli më rrihnin, më kërkonin të thosha se çfarë i kisha treguar Carla-s. Madje më akuzuan për gjëra që unë nuk e imagjinoja se ekzistonin, dhe që mund të më bëheshin pyetje të tilla në vitet ‘80. Aq i vogël isha, aq adoleshent isha,. Merresha me libra, me muzikë, studioja. Merresh me sport. Kjo ishte jeta ime dhe unë s’kuptoja asgjë se ç’bëhej në jetën politike.
Si pasoi kalvari i familjes tënde pasi të bu..rgosën në Spaç?
-Prindërit shpëtuan nga internimi se ishte plotësuar numri në Tiranë. Ka qenë një rregull që në fillim të vitit bëhje një plan se do të internhen nga Tirana, për shembull 100 familje. Unë u arrestova në nëntor, e ky numër ishte plotësuar, ndaj ata internuan vetëm vëllain tim në fshatrat e Kukësit, ndërsa për prindërit u mjaftuan t’i hiqnin nga puna dhe ata dolën në pension të parakohshëm.
Piktorët që të bënë ekspertizën i kishe njohur?
-Jo nuk i njihja. Mua më pëlqente arti. Ndiqja pjesët operistike, baletin. Shkoja me bileta dhe me vajzën që njiheshim, pra unë isha aktiv në veprimtarinë artistike të Tiranës. Artet vizuale nuk i pëlqeja aq shumë sa muzika dhe baleti. Megjithatë në bu..rgun e Spaçit kam pasur dy piktorët më të mëdhenj, Maks Velon dhe Edison Gjergon dhe i çmoja shumë.
Si ke kaluar në shoqërinë e tyre?
-Shiko, bu..rgu kishte ca rregulla të përcaktuara qartë. Nuk mund të mbanim shumë miqësi, vetëm pëshëndeteshim, se aty nuk të jepej mundësia të flisje për artin dhe kulturën, se ta mernin për agjitacion e propaganda. Aty duhej t’u flisje vetëm shefave. Në Spaç ku unë bëra bu..rgun, ishin ushtarakaë të lartë, intelektualë. Edison Gjergon e njihja edhe familjarisht, por rrallë flisnim bashkë. Aty ku shkova unë, pati një përzierje të të bu..rgosurve, sepse ata që ishin intelektualë, u plakën dhe kërkoheshin forca të reja pune, të ishin shumë prodhimtarë, se miniera e Spaçit ishte shumë e pasur. Dhe ndodhi që në të gjithë Shqipërinë, të bu..rgoseshin të rinjtë që për një fjalë goje me synimin për t’i punësuar atje. Por pjesa më e madhe e tyre ishin injorantë dhe siuata u bë shumë keq. Një pjesë ishin hajdutë dhe pa nivel. Kjo fushatë e bu..rgosjes së të rinjve nisi që në vitet 78. Maks Velon disa nga ata e kishin inat, se ishte njeri me dije. Më kujtohej një i bugosur për vjedhje. Para se ta bu..rgosnin, ata e pyetën: -Pse vodhe? –S’kisha bukë me hangër, -tha ai, -se isha i uritur. Kështu që i ziu u dë..nua edhe për vjedhje, edhe për agjitacion- propagandë, sepse nuk duhej thënë kurrë që Shqipëria ishte vend i varfër e s’kishe bukë të haje. Unë për shembull, e kisha për nder të pija një kafe me Maksin ose me Edisonin.
Ju më thatë se pas rënies së diktaturës jeni ritakuar me Carla-n?
-Ishin vitet ’90, Ambasada më thirri dhe më bëri pasaportën, sepse isha i ftuar nga familja e Carla-s në Itali. Më kujtohet si sot. U nisa me gruan time dhe vendosëm së bashku se do iknim dhe do të krijonim një jetë të re në Itali. Sigurimi na ndaloi në Portin e Durrësit. Ende ishte Partia e Punës e Ramiz Alia në pushtet. Unë mora në telefon pas kësaj, motrën e Carla-s, Lindën. I thashë “Mos na prisni”. Prindërit e saj morën në telefon sërish Ambasadën. Më thirrën në degën e Punëve të Brendshme. Më thanë: -Ti ja ku e ke pasaportën, nisu. Gruan tënde do ta mbajmë peng se mos nuk kthehesh. Gruaja më tha: -ik, por të lutem mos qëndro. I premtova se nuk do të qëndroja. Në Itali në fillim më pritën prindërit e Carla-s. Ajo me familjen e saj jetonte në Romë. Dhe kur u takuam pas dy ditësh u emocionuan shumë.
Si e kishte përjetuar Carla ndarjen?
-Ajo ishte vajzë e re dhe nuk arrinte ta kuptonte atë që ndodhi. Prindërit ishin munduar t’ia sqaronin. Me të biseduam gjatë. Më gjatë sesa kishim mundur të flisnim në atë kohë. Mësova se prindërit e Carla-s ishin përpjekur shumë për lirinë time, dhe në atë moshë që u takuam ne, vetëm mund të qeshnin me ato që na kishin ndodhur, por në rini i kishim përjetuar keq, dhe familja e tyre. Ajo që tregonin ata ishte për të qeshur e për të qarë, tragjedi e sistemit. Unë u gëzova që më ftuan, sepse shkova për herë të parë në vendin që kisha ëndërruar të shkoja gjithë jetën. Ky takim e bëri shumë të fortë miqësinë familjare tonën. Im vëlla dhe unë shkojmë shpesh tek ata dhe ata vijnë tek ne. Por tani prindërit e saj vdiqën, shtëpia u shit, e komunikimin e kam me Carlan, motrën Lindën dhe vëllain e tyre Antonio. Por shtëpia e ngrohtë e prindërve të saj më mungon.
Si quheshin prindërit?
-Nëna quhej Enza e, babai Giuseppe Sferlazzo. Djalit tim të parë i kam vënë emrin e nënës së Carlas, Enzo. Ata ikën nga Shqipëria në vitin 1981, direkt pas arrestimit tim.
Tani që sapo keni marrë dosjen keni ndonjë apel për mënyrën si trajtohen ato?
-Dua të ndaj keqardhjen që për bordin e hapjes së së dosjeve u pranua një grua që unë se di se kush është dhe u hodh poshtë Uran Butka. Pra, ju kërkoni një bord për të përndjekurit në regjimin komunist dhe nuk fusni një person që ka pësuar kalvarin e vërtetë të përndjekjes, dhe jo vetëm për këtë, por edhe për studimet që bëri dhe obligimet që ka bërë duhej të ishte në atë bord. /Shqiptarja.com