Seanca plenare e ditës së djeshme pati përplasje të ashpra mes mazhorancës socialiste dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Çështja e shkarkimit të presidentit Ilir Meta u prek nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ai shprehu qëndrimin se kreu i shtetit duhej të shkarkohej edhe me miratimin e Gjykatës Kushtetuese pasi e kishte mbushur kupën duke tejkaluar kompetencat e liderit të shtetit. Ai ironizoi se Meta do të qëndrojë në krye të presidencës deri në përfundim të mandatit për t’i shërbyer opozitës së përçarë.
“Meta duhej të shkarkojë, por nuk vendosi kështu Gjykata Kushtetuese. Ai do jetë edhe 120 ditë në Presidencë për të përfaqësuar opozitën denjësisht”, deklaroi Balla.
Spiropali-Berishës: Je sovjetiku i fundit në Shqipëri
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Ministrja e Shtetit Për Marrëdhënie me Parlamentin, Elisa Spiropali shkëmbyen akuza personale në adresë të njëri-tjetrit. Ministrja socialiste e quajti Berishën sovjetikun e fundit të mbetur në Shqipëri dhe se ka shkatërruar partinë që e drejtoi për 23 vite.
“Ti je përçarësi më i madh i shqiptarëve, sovjetiku i fundit në këtë vend Sali, nuk lë rast, pandemi, luftë, fatkeqësi natyrore pa përdorur për vetën tënde, për aksionin tënd politik flet për kufoma se të shkon gjuha kur dhemb dhëmbi, nuk pyet për kufoma për pushtetin tënd, dhe flet për viktimat e COVID dhe luftës, ky është turp, nuk mjafton që ke mundur Lulin e luleve të tjera se ke shkatërruar partinë tënde dhe je pakicë e pakicës”, iu drejtua Spiropali ish-kryetarit të PD.
Më pas, Berisha mori sërish fjalën dhe ironizoi Spiropalin duke thënë se kryeministri Rama, të cilin e quajti “Skënderbuç” i ka dhënë 5 milionë euro për të bërë “avokaturën” e qeverisë. Ish-kryeministri akuzoi qeverinë se ka shkaktuar katastrofë me menaxhimin e pandemisë teksa kanë ndërruar jetë mbi 14 mijë qytetarë.
“Skënderbuçi e ka shpërblyer me 5 milionë euro dhe e vërteta është që mbrojtja që i bën këtu vetëm sa më ndihmon mua. Ngrita çështjen e vdekshmërisë nga COVID dëshmi e katastrofës së një sistemi qeverisës dhe të kalosh në këtë mënyrë vetëm njerëz që janë vepruar nga paratë, korrupsioni mund të bëj këtë gjë”, iu përgjigj Berisha Spiropalit.
Por, eksponentja socialiste iu kthye ashpër Berishës duke e akuzuar se ka vrarë qytetarë dhe bashkëpunëtorët e tij politikë për të mbrojtur pushtetin. “Nuk do gjesh në xhepat e mi asnjë cent. Jo ti, po asnjë tjetër, prandaj jam serbes dhe nuk më dridhet qerpiku që të merrem me ty e asnjë tjetër, por në duart e mia nuk do gjesh as gjak që gjen në duart e bashkëpunëtoreve të tu që sot i ke kundër, nuk do gjesh në këtë rresht të ministrave, që kanë borxh as viktima e as kufoma”, mbylli replikën e saj, Elisa Spiropali.
Ahmetaj i kujton Berishës thyerjen e embargos me Serbinë
Zv/kryeministri Arben Ahmetaj iu përgjigj ish-liderit të PD, Sali Berisha se ai theu embargo ndaj Serbisë në vitin 1994 duke furnizuar me naftë Jugosllavinë, e cila u përdor për të furnizuar tanket në luftë ndaj Kosovës. Berisha tha se Shqipëria theu embargon ndaj Rusisë duke ankoruar një ruse në Portin e Durrësit. “Dhe siç na ka mësuar edhe parafolësi ( Berisha ) na tregon te metat dhe përparësitë si komb. U fol për thyerje embargo me Rusinë, dhe m’u kujtua 1994 kur thyhej embargo me naftën dhe furnizohej me naftë vrasësi i shqiptarëve”, iu kundërpërgjigj Ahmetaj Sali Berishës./Rigels Seliman