Thellohet debati për Ballkanin e Hapur, ku pas kryeministrit Edi Rama ka reaguar edhe deputeti i zgjedhur i PS, Petro Koçi.
Me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook, deputeti u shpreh se vënia në shërbim të ish-kryeministrit Sali Berisha nga ana e Vetëvendosjes, ndërkohë që ai është shpallur “non grata” nga SHBA, nuk është një shenjë e mire.
Koçi tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk mund ta shpëtojë dot Berishën. Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova pa SHBA dhe BE nuk i realizojnë dot interesat kombëtare, kështu që duhen kthyer sytë nga e ardhmja jo nga e shkuara “non grata”. “Kosova dhe Shqipëria janë krahët e të njëjtës shqiponjë !
Vetëzhvendosja është e lirë të përzgjedhë aleatët e saj. Por vënia në shërbim të Sali Berishës, kur ky sapo është shpallur non grata nga SHBA, bie erë të keqe. Patriotizmi i stërmundimshëm për tu marrë me një Bregoviç nuk e shpëton Saliun. Nuk e fshin faktin që ndërmarrja Shqiponja e PD kreu trafik karburanti me ish Jugosllavinë e Millosheviçit sipas marrëveshjes Berisha-Bullatoviç.
Nuk e fshin dot faktin që Berisha e quajti tradhti kombëtare firmosjen në Rambuje. Kosova dhe Shqipëria janë krahët e të njëjtës shqiponjë. Të asaj brenda flamurit kuqezi. Pa Shqipërinë Kosova është e humbur. Për Shqipërinë Kosova është garancia me e rëndësishme strategjike. Shqipëria dhe Kosova pa SHBA dhe BE nuk i realizojnë dot aspiratat dhe interesat kombëtare. Prandaj është mire që Vetëzhvendosja ti kthehet të ardhmes së interesit tonë kombëtar. Dhe jo të shkuarës non grata. Aleanca me Berishën është komprometuese. Të bëhet Vetëvendosje”, tha ai.
Reagon Albin Kurti
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e djeshme ka reaguar gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Shkup. Kurti në mesazhin e tij shprehet se e rëndësishme është që dy vendet të jenë pranë njeri tjetrit duke u koordinuar dhe punuar për projekte të përbashkëta. Ai u shpreh se detyra kryesore është lufta kundër korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik i vendit.
Sipas tij, rajoni do të ketë siguri vetëm atëherë kur kriminelët do të izolohen. “Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar.
Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë SHBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin”, u shpreh Kurti.