Avokati Spartak Ngjela zbardhi dje prapaskenat e një bisede sekrete mes kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe përfaqësuesve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pak ditë më parë presidenti Ilir Meta i ironizoi amerikanët, duke thënë se nëse duan të monitorojnë zgjedhje me një kandidat, mund ta bëjnë në Korenë e Veriut.
Por sipas Ngjelës, kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga Amerika, përfaqësuesit e së cilës i kanë telefonuar Lulzim Bashës për t’i dhënë ultimatume. Avokati deklaroi në një prononcim për gazetën “SOT” se gjatë një bisede sekrete që Basha ka patur me eksponentë të lartë të SHBA, këta të fundit ia kanë bërë të qartë se nuk kanë ndërmend të heqin dorë e të largohen pa u bërë zgjedhjet dhe pa u mbyllur reforma në drejtësi.
“Do të shkojnë të gjithë në SPAK, duke filluar që nga Berisha e të gjithë të tjerët që i nxisin. Nuk i shpëtojnë dot SPAK-ut. I tha politika amerikane Bashës: “Nuk kemi pse shkojmë në Korenë e Veriut, jemi këtu derisa të mbarojë reforma në drejtësi. Jemi të vendosur për reformën dhe për të kryer procesin zgjedhor.” Këtë e kam të sigurt fare. Ata nuk bëjnë dot gjë. Janë të detyruar të respektojnë çdo lloj ligji.
Po marrin në qafë njerëzit e thjeshtë, të cilët po kryejnë vepra penale. Sot me orientim nga politika e lartë perëndimore, do të futet në Parlament amendament në Kodin Penal për ndalimin deri në 10 vjet për të mos dalë jashtë shteti persona që prishin zgjedhjet. Kjo do t’i frenojë fare, kurse Basha ka qenë në prokurori. Tha që nuk do shkoj sepse kanë shkelur ligjin, por në fund vajti.
Po ç’është ky burrë shteti që një herë thotë nuk do të shkoj dhe pastaj trembet se ka frikë se e marrin me dhunë. Edhe ky ishte një mesazh nga Amerika për të treguar vendosmërinë e saj. E kuptoni se kush do ta drejtojë Shqipërinë?”, tha Spartak Ngjela.
Shkarkimi i Metës dhe heqja e imunitetit
Avokati komentoi edhe procedurat e nisura për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet ta shkarkojë atë sepse ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës. E në këtë rast, Ngjela theksoi se Meta ngelet pa imunitet fare dhe para drejtësisë do të shkojë si çdo njeri i thjeshtë i popullit.
“Unë pres që Ilir Meta të shkarkohet sepse ka kryer një shkelje të rëndë sepse po të ndodhte jepte pasoja të rënda politike dhe shoqërore sepse cenonte disa aspekte të jetës shoqërore në funksion të Kushtetutës. Kjo shkelje e rëndë duhet të konstatohet, Parlamenti të votojë shkarkimin e tij dhe më pas ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vendos nëse është shkelje e rëndë ose e lehtë.
Kushtetua kërkon shkelje të rëndë dhe Meta në këtë rast nuk e ka të lehtë. Kam përshtypjen që ai do të fillojë të sillet si Basha. Do t’ju thotë nuk ju njoh. Janë pa vlerë politike të nivelit të lartë, janë injorantë. Thotë nuk e njoh Parlamentin, pa një vendim gjykate.
Shkarkimi do ta lërë atë pa imunitet fare, do të jetë njëlloj si njerëzit e thjeshtë para drejtësisë. Nuk do të ketë as mbrojtje, as asgjë. Drejtësia mund të veprojë kollaj fare”, deklaroi Spartak Ngjela. Në vijim ai e ndali theksin edhe tek përplasjet e ditëve të fundit dhe tentativat e protestuesve për të shkatërruar procesin zgjedhor dhe KZAZ-të.
Sipas Ngjelës, çdo tentativë e tyrja është e kotë. Ai nënvizoi se qytetarët që ndjekin mbrapa liderët e opozitës po djegin veten kot. /Mimoza Ibra