“Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme, pasi u shpreh se kishte informacione se gjatë protestës së 8 Janarit selisë së PD-së do t’i vihej flaka.
Ai tregoi se atë ditë në selinë e partisë u futën më shumë bombula që fiknin zjarrin, të cilat sipas tij, u përdorën edhe si mjete për vetmbrojtje.
“Ka patur një informacion të besueshëm se selisë mund t’i vihej flaka. Nuk ka patur asnjë përgatitje apo mendim që do përdoreshin fikëset e zjarrit. Bombulat e zjarrit janë përdorur në mënyrë spontane. Ne në seli kemi fikëse zjarri në një numër të caktuar, jo aq shumë. Atë ditë sollëm më shumë për shkak të informacioneve që kishim. Ne ishim nën terror pasi godina mund të shembej, pasi sallat janë të mëdha dhe pa kollona në mes”, tha Bardhi.