Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me ironi ndaj deklaratës së kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), i cili gjatë raportimit një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve u shpreh se “ka humbur babanë në detyrë”, duke e krahasuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja me një “aksident pune”.
Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Manjani e cilësoi këtë deklaratë si “mufkë pa fund”, duke ironizuar se fjalia e kreut të KLGJ-së i ngjante “Kontrollit Punëtor të kohës së PPSH-së”. Ai u shpreh se është e papranueshme që vrasja e një gjyqtari të barazohet me një aksident në vendin e punës.
“Nuk e di dmth, qesha por edhe u hidhërova shumë kur e pashë këtë copëz raportimi.
Mufka pa fund të zotërisë që ngjante jo me Këshillin e Lartë Gjyqësor, por me Kontrollin Punëtor të kohës së PPSH-së.
Por i lemë këto mufka dhe të shohim pak më seriozisht.
Kryetari i Kontrollit Punëtor alias KLGJ, mendon se vrasja e gjyqtarit ishte aksident në punë!!! Arsyetimi i tij është se meqë edhe babai i tij u aksidentua në punë, edhe gjyqtari ashtu iku nga kjo jetë!!!
Më tej akoma, na fton të jemi bashkë në këtë budallëk!!!
O zot!
Nuk u aksidentua Astrit Kalaja oooooor ti i kshillit! Nuk thyu dorën, por e vranë.
Ai që shtiu me armë është vrasës jo aksidentues, o të puthsha mendjen!
Ti të rrosh vetë për babën, po mblidh mend’t e kokës e bëj ndonjë punë meqë qenke edhe presori i punës!
Dhe deputetët që rrinin si guakë e dëgjonin këtë mrekulli, që e kanë zgjedhur vetë.
—-
S.ke nga ta kapësh kët punë jo!
Po Top Channel e kapi një personazh të ri për Portokallinë…” – shkruan Manjani.