Pas seancës dëgjimore të Astrit Faqollit, edhe për gjykatësin Ardian Dvorani pritet një shkarkim i mundshëm pasi nuk ka bërë një deklarim të saktë të pasurisë duke mos deklaruar 9 milion e 900 mijë lekë.
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ardian Dvorani sipas raportit të ILDKPI nuk ka bërë një deklarim të saktë duke mosdeklaruar nëse ka apo jo burime të mjaftueshme për pasurinë e tij.
Në pasurinë e Dvoranit, numërohet një apartament me sipërfaqe 120 m2 në pronësi të dy bashkëshortëve blerë nga Albtelecom sha dhe dy apartamente të privatizuar më 1993 dhe 1995 me sipërfaqe respektivisht 103 m2 dhe 76.8 m2; një makinë Skoda Otavia, blerë më 2016.
Gjyqtari ka deklaruar gjithashtu edhe një hua të dhënë nga prindërit për shlyrjen e apartamentit që ka në pronësi me gruan, ndërsa nuk ka deklaruar 9 milion e 900 mijë lekë nga ana e tij.
Sipas KPK, ai nuk ka bërë fshehje llogarish apo të ardhurash por ka një deklarim të pasaktë për llogaritë bankare të tijat dhe të personave të lidhur me të.
Dvorani vetë është shprehur se mosdeklarimi ka ndodhur për shkak të ngarkesës së punës duke fajësuar edhe ILDKPI-në, e cila sipas tij nuk e kishte ftuar për të verifikuar pretendimet, raporton Report tv.
“Kurrë skam mbajtur para poshtë dyshek por i kam deklaruar gjithmonë në banka. Nuk ndjehem krenar se kam plotësuar gabim deklaratën e pasurisë. Por kjo s’ka pasur për qëllim të fshehë ndonjë gjë. Ka qënë thjesht pakujdesi për shkak të ngarkesës së punës. ILDKPI-ja smë ka thirrur kurrë për të verifikuar çfarë pretendon ndaj meje”, ka thënë Dvorani.
Gjithashtu në KPK kanë mbërritur edhe 8 denoncime, të cilat gjatë shqyrtimit kanë rrëzuar çdo pretendim për aftësitë e tij profesionale mbi një gjykim të drejtë dhe eficent.