Demokracia na ka mbetur si një ëndërr, një iluzion i paarritshëm, ndërsa rrugëtimi ynë drejt Europës demokratike zgjatet e zgjatet pambarimisht…
Përkujtimi i ngjarjeve të rëndësishme historike me kalimin e viteve merr një vlerë të veçantë. Në radhë të parë se tregon respekt për historinë dhe, e dyta, si dëshmi e një populli të qytetëruar që nuk harron. Ne si popull kemi vuajtur jo pak në të përpjetat e historisë sonë dhe nga harresa. Kemi përjetuar pushtime, luftëra dhe copëtime të pamëshirshme. Fatmirësisht në historinë tonë kemi një sërë ngjarjesh dhe datash që duhet t’u shërbejnë edhe brezave të ardhshëm si pika referenciale për të mbajtur drejt kursin drejt së ardhmes.
Një nga këto ngjarje madhore është pa dyshim Konferenca e Pezës mbajtur 76 vjet më parë, më 16 shtator 1942 në Pezë pranë Tiranës.
Konferenca e Pezës është ndër të rrallat ngjarje që është kujtuar çdo vit edhe pas përmbysjes së regjimit komunist. Kjo për faktin e thjeshtë se, megjithëse ajo mbledhje u bë me iniciativën e Partisë Komuniste dhe të Enver Hoxhës ka një rëndësi themelore dhe nuk është zbehur aspak. Përkundrazi. Janë përsëritur vit pas viti rrethanat në të cilat u bë mbledhja, cilët ishin pjesëmarrësit dhe çfarë u diskutua dhe u vendos aty. Fakti që e përkujtojmë atë ngjarje është shumë i rëndësishëm. Me ndjenjën e përgjegjësisë para vendit e para historisë, figura të njohura nga radhët e nacionalistëve patriotë, iu përgjigjën thirrjes për t’u mbledhur e për të biseduar pa paragjykime për hallet e vendit që jetonte kohët më të vështira në historinë e tij. Shqipëria ishte e të gjithëve dhe të gjithë kishin obligimin që të kontribuonin, që vendi të dilte sa më parë nga kjo situatë. Pra, Peza ka në bërthamën e saj idenë e bashkimit kombëtar, ndaj dhe mesazhi i saj është i gjithëkohshëm për shqiptarët. E ky bashkim, sipas pjesëmarrësve në atë mbledhje historike duhej bërë “pa dallim klase, feje, krahine dhe ideje, me devizën e rilindësve “feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Vëreni organizatorët e pjesëmarrësit e asaj mbledhjeje për të kuptuar thelbin e rëndësisë së saj, që nga Enver Hoxha, udhëheqës i Partisë Komuniste dhe i Luftës Nacionalçlirimtare, bashkëpunëtorët e tij, figura të njohura, si Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Ramadan Çitaku, që së bashku përfaqësonin PK; Nako Spiru, që përfaqësonte Rininë Antifashiste, Nexhmije Xhuglini, Gruan Antifashiste,etj.; nacionalistët patriotë që qenë lidhur me PK, si Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani; të tjerë nacionalistë, si Ramazan Jarani, Ismail Petrela, zogistët Abaz Kupi e Ndoc Çoba, Halim Begeja përfaqësues i rinisë nacionaliste etj. Pa asnjë dyshim, paragjykim apo prapamendim të gjithë ata meritojnë respekt e nderim, për hapin historik që ndërmorën, duke thyer tabutë e paragjykimet e një kohe që i kishte mbajtur të ndarë e të përçarë, për të hapur kështu një faqe të re në historinë e vendit e në raportet në mes tyre, dhe, mbi këtë bazë, për t’u bashkuar rreth një kauze e preokupimi të përbashkët, çlirimit e shpëtimit të atdheut. Hapi ishte madhështor dhe fakti që edhe pas më shumë se treçerek shekulli, ajo ngjarje ruan aktualitetin është tejet domethënës.
Në rezolutën e mbledhjes thuhej se do të luftohej për “një Shqipëri të pavarur, indipendente, e pandashme dhe demokratike”.
Fakti që bëhej thirrje për bashkim, do të thotë se shqiptarët ishin të përçarë në atë kohë. E të përçarë ata nuk mund ta fitonin dot luftën, pa le më të bënin Shqipërinë e pavarur dhe demokratike!
Një vit më parë, në 75 vjetorin e kësaj mbledhjeje historike, unë iu drejtova Nexhmije Hoxhës, të vetmes që jeton nga pjesëmarrësit e asaj mbledhjeje dhe të vetmes grua që ishte e pranishme dhe ka mbajtur protokollin e mbledhjes. Zonja Hoxha e dha konsideratën e saj me shkrim, ku ndër të tjera shkroi:
“Kjo Konferencë, që u organizua me iniciativën e Partisë Komuniste të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e patriotëve të njohur të vendit dhe të demokratëve progresistë, hodhi themelet e Bashkimit të popullit shqiptar, nën moton: “pa dallim ideje, feje e krahine” dhe u krijua Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar. Vendimet historike të Konferencës së Pezës, i dhanë një hov zhvillimit politik e ushtarak të Luftës Nacionalçlirimtare, në të gjitha vendin, që çuan deri në çlirimin e plotë nga pushtuesit nazifashistë.
Konferenca e Pezës, për nga rëndësia historike, do të mbetet në radhën e Mbledhjeve, Lidhjeve dhe Kongreseve patriotike të kombit shqiptar në të kaluarën.”
Pse e ndjejmë nevojën e Pezës?
Edhe pas 76 vjetësh ne e ndjejmë nevojën e Pezës. Pse? Fare e thjeshtë. Ndodhemi në një situatë të ngjashme si në vitin 1942.
Bashkimi e lufta, këto ishin shpëtimi, rruga dhe prova për shqiptarët në atë kohë; këto dy gjëra i duheshin vendit në kohën e pushtimit fashist të vendit. Bashkimi do të bëhej në luftë dhe për luftë. Kjo ishte platforma, që ata burra të mençur e patriotë përpunuan e miratuan në Pezë. Këtu pikërisht qëndron madhështia dhe largpamësia e Pezës dhe e burrave që e bënë atë. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe nuk duhet ngatërruar aspak me zhvillimet e mëvonshme. Prandaj dhe ne e nderojmë Pezën. Se na ngjalli idealizmin e Pashko Vasës me vargun emblematik “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”
Kur citojmë këtë varg të famshëm të Pashko Vasës duhet të vendosemi në kohë: kushtet ishin mjaft të ndryshme. Nën pushtimin osman Shqipëria pothuajse e kishte humbur identitetin e vet dhe një thënie e tillë duhet kuptuar në atë kontekst, ku shqiptarët u detyruan me dhunë dhe taksa të ndryshonin fenë e tyre.
Po pse vazhdojmë ta konsiderojmë këtë shprehje të Pashko Vasës si një shprehje lapidare, me një aktualitet të habitshëm edhe pas më shumë se një shekulli? Për të njëjtat arsye. Ne themi sa mirë e ka thënë ai mendjendrituri këtë shprehje, sikur të shihte Shqipërinë e sotme! Dhe Shqipëria e sotme, 100 e ca vjet pas themelimit të shtetit dhe gati 30 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist, vuan nga e njëjta sëmundje: Përçarja!
Në këtë shekull që jetojmë kjo sëmundje është vërtet një absurditet. Por është një realitet. Vëreni përçarjet që na mundojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në trojet ku banojnë shqiptarët. E, le të mos përdorim eufemizma për një situatë të tillë, le ta themi troç: Jemi të përçarë dhe me një urrejtje të paparë ndaj njëri tjetrit. Nuk ka të bëjë kjo me nostalgjinë për regjimin e kaluar. Aspak. Ka afro 30 vjet nga përmbysja e regjimit komunist dhe asnjë nga partitë tona politike nuk mund të anatemohet si komuniste ose si trashëgimtare e idealeve komuniste. Partia Demokratike në opozitë dhe Partia Socialiste në pushtet, pavarësisht se janë bija të ish-Partisë së Punës, e kanë “mohuar” nënën që i lindi dhe duket se janë në garë më njëra-tjetrën kush të hedhë më shumë baltë mbi Luftën Antifashiste dhe vitet e socializmit. Për t’u dukur moderne? Jo. Janë interesat e pushtetit mbi të gjitha. Sa më larg komunizmit, aq më afër pushtetit.
Ku janë idealistët? Eh, sido të kishte shkruar Fan Noli në një situatë të tillë!
Realiteti është ky që është. I ndritur për një palë dhe më shumë se i zi për tjetrën. Por harrohet një fakt i thjeshtë: Shqipëria demokratike e sanksionuar në rezolutën e mbledhjes së Pezës 76 vjet më parë nuk është bërë akoma.
Pse?
Sepse “kemi në mes tënë, ca armiq e tradhëtorë”, do të thoshte Naim Frashëri. Mirëpo këta “armiq e tradhëtorë” nuk janë ca, po janë bërë si shumë më tepër nga ç’i kemi menduar dhe dominojnë në të gjitha drejtimet.
Dekomunistizimi
Qysh në ditët e dhjetorit 1990 u pa qartë se po ngrihej një zulmë e paparë kundër regjimit që po perëndonte. Pra, sapo kishte nisur fushata për dekomunistizimin e vendit, si e keqja më e madhe që nuk na linte të bënim përpara. Atëherë doli Partia Demokratike në skenë, e cila çuditërisht mblodhi në gjirin e saj ish-komunistë fanatikë, ish-të burgosur politikë, ish-ballistë e ish-zogistë. Thirrjet e tyre në atë kohë nuk është e nevojshme të kujtohen këtu pasi i mbajnë mend të gjithë dhe që në thelbin e tyre kishin shkatërrimin e gjithçkaje nga regjimi i kaluar. Nën këtë moto u shkatërruan jo vetëm fabrikat e uzinat, që në të shumtën e rasteve iu vu flaka edhe shkollave, vreshtave e pyjeve… Në këtë drejtim mbase jemi një rast unikal jo vetëm në Europë. Nuk besoj se kemi një kujtesë aq të shkurtër sa t’i harrojmë ato gjëma që kanë ndodhur dhe që i kemi përjetuar të gjithë.
Forcat politike që ishin krijuar në vitet 1990-91 u rreshtuan thuajse të gjitha në anën e Partisë Demokratike, kundër ish-komunistëve. Fushata që zhvilluan këto forca në atë periudhë ishte shungulluese dhe tepër tunduese, gjithçka i ngjante një feste masive popullore, ku njerëzit mblidheshin vetvetiu, pa asnjë lajmërim apo urdhër në ndonjë shesh, në ndonjë cep pallati, në stadiume apo pallate sporti etj. Gjendej dikush që mund të fliste për fundin e komunizmit, për tmerret e diktaturës së proletariatit dhe për fitoren e afërt dhe të sigurt të opozitës demokratike, ose mjaftonte një thirrje me zë të lartë “Poshtë Komunizmi!” apo “Liri – Demokraci” dhe, menjëherë shfaqej fidanishtja e harlisur e dy gishtave në erë, ndërsa atmosfera përflakej nga një sërë parullash mjaft të përhapura në atë kohë si “Enver – Hitler”, “O Ramiz, o zagar,/Do të varim në litar!” etj., etj.
Në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë mbizotëronte kaosi dhe anarkia e përgjithshme, papunësia kishte arritur nivele të papara, pasiguria ishte e madhe. Njerëzit ishin në një gjendje pezull, në një pritje të ankthshme të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të marsit. Ra Qeveria e Stabilitetit, u krijua një Qeveri Teknike, funksioni kryesor, në mos i vetmi, i së cilës ishte administrimi i ndihmave të huaja ushqimore, si dhe së dyti, ruajtja e një farë rregulli deri në zgjedhje.
Po si t’i bëhej ballë krimit dhe kriminalitetit që ishte përhapur në të gjitha anët?
***
Nga ajo kohë ruaj në kujtesë një ngjarje tronditëse që më ngjeth edhe sot e kësaj dite kur e shkoj nëpër mend. Ishte tetori i viti 1991, pra 27 vite më parë. Unë atëherë punoja ende në gazetën “Zëri i Rinisë” që dilte nja 100 ecamijë kopje. Si gazetar shkova të ndjek një veprimtari te Piramida, pra jo më shumë se 200 metra larg nga zyrat e redaksisë. Për herë të parë organizohej “Java e Kulturës Gjermane” në Shqipëri, ndërkohë që dy Gjermanitë ishin bashkuar në një shtet dy vite më parë. Interes i jashtëzakonshëm për atë veprimtari. Ftesa speciale për politikanë, diplomatë, intelektualë, shkrimtarë e gazetarë. Aktiviteti mbahej në një sallë të katit të nëndheshëm të Piramidës, në një sallë luksoze ku mund të uleshin një 200 vetë a më shumë. Dita e parë. Përshëndeti dikush nga ministria jonë e Jashtme dhe ambasadori gjerman në Tiranë. Ambasadori u uroi pjesëmarrësve shikim të mbarë për një dokumentar që do të shihnim për historinë e Gjermanisë. U fikën dritat dhe në një ekran të madh filloi shfaqja e filmit nga fillimet e historisë gjermane deri te bashkimi. Erdhi viti 1923. Në ekran u shfaq Hitleri. Papritmas në errësirën e sallës shpërthyen duartrokitje. U pataksa. Pas pak erdhi viti 1933 kur Hitleri dhe partia e tij morën pushtetin në Gjermani. U shfaqën në ekran turmat SS dhe Hitleri që i përshëndeste me ngazëllim. Në këtë moment salla shpërtheu në ovacione. ..
Ika menjëherë. Të nesërmen shkrova me emrin tim editorialin e “Zërit të Rinisë” me titullin “Hitleri duartrokitet në Tiranë”. Nuk thashë thuajse asnjë fjalë për javën e kulturës gjermane, po për rrezikun fashist dhe naziskin që na kërcënonte si shqiptarë… Me pak fjalë, mesazhi ishte ky: O shqiptarë, kemi rënë nga shiu në breshër! Bëtë mirë që e përmbysët komunizmin, por shikoni se po ju vjen fashizmi!
Kam ndërmend ta ribotoj atë shkrim pasi mendoj se nuk i ka ikur aktualiteti edhe sot e kësaj dite, ku të tregoj edhe ca episode që nuk i kam rrëfyer asnjëherë. Por pa frikë mund të them se ka qenë një ndër eksperiencat më të hidhura,por edhe më të vyera për të njohur realitetin si gazetar.
Nuk ka nevojë të përmend këtu autorë të ndryshëm, aq më pak filozofët modernë, për të ilustruar zhvillimet shqiptare të këtyre afro 30 vjetëve, pasi si shumë e shumë të tjerë, jam vetë një dëshmitar i dorës së parë.
***
Që duhej dekomunistizuar shoqëria shqiptare, kjo nuk mund të vihej në dyshim as atëherë dhe as më vonë. Partitë e shumta politike shqiptare që lindën dhe mbinë si kërpudhat pas shiut, të gjitha flisnin me parulla për ndërtimin e demokracisë pas diktaturës së egër komuniste. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, një ish-komunist i thekur dhe ish-sekretar i PP-së, në atë kohë përsëriste pambarimisht disa shprehje paqëtuese si “bashkëvuajtës dhe bashkëpërgjegjës” etj. Dhe duartrokitej.
E kemi provuar dy herë në pushtet Partinë Demokratike, gati gjysmën e këtyre viteve pas 1990-s. Pa asnjë mëdyshje them se në qeverisjen e saj, dhe në opozitë, biografinë e kësaj partie dhe simotrave të saj e ka përshkuar pambarimisht një frymë fashistoide që vazhdon sot e gjithë ditën. Pasi kemi përjetuar vitin e zi 1997, pasi kemi përjetuar shtatorin e 1998-s, pasëi kemi përjetuar vrasjet e Gërdecit dhe të 21 janarit, besoj se nuk ka nevojë të sillen fakte të tjera. I kemi përsëritur shpesh këto krime në analizat tona, por që përsëriten edhe sot e kësaj dite, nuk bëjmë keq. Ndryshe, si mund t’i quajmë sjelljet e Lulzim Bashës dhe sidomos të Sali Berishës aktualisht?
Lexoni këtë shprehje të Sali Berishës të thënë publikisht në një ekran dy ditëmë parë: “Unë do bëja gjithçka t’i çoja patkonjtë Edi Ramës qoftë edhe me mjetet që ju kundërshtoni. Në kushtet e grushtit të shtetit, mjetet janë të gjitha. Pa armë, ai ikën pa armë. Opozita me Edi Ramën nuk vjen kurrë në pushtet. Armik më të egër pas Enver Hoxhës nuk ka. Edi Rama nuk pranon kurrsesi votën. Ai duhet nxjerrë prej leckash nga zyra”.
Ta duartrokasim këtë deklaratë? Si të Hitlerit apo si të një demokrati?
Ku është sjellja demokratike në këtë shprehje? A është demokratike sjellja e kësaj opozite që pengon reformën në drejtësi dhe të gjitha reformat dhe që në vijimësi bën thirrje për mos hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE? A duhet konsideruar e sinqertë pas afro tri dekadash thirrja e kësaj opozite për dekomunistizimin, kur sikurse thamë pak më sipër asnjë nga partitë e sotme nuk i ngjan mëmës që i ka lindur? Madje mund të thuhet se qeveria aktuale ka bërë më shumë se qeveria e Berishës në këtë drejtim. Sepse është kjo qeveri që ka hapur muzera për terrorin komunist, që financon projekte për ta kthyer kampin e Tepelenës në “Aushvicin shqiptar”. Është kjo qeveri që bën sikur respekton luftën antifashiste dhe i lë veteranët e asaj lufte në pikë të hallit, ndërsa gjithë vëmendjen e ka përqendruar te kompensimi i ish-bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe ish-të përndjekurve të regjimit të kaluar. Prandaj dhe del një zyrtar i lartë i PD-së me një projekt për censurimin e gjithë krijimtarisë artistike e letrare të viteve të socializmit. A është demokratik një akt i tillë që i ngjan atyre të Gebelsit të Gjermanisë hitleriane kur digjte librat në sheshet e qyteteve?
A mos duhet të presim të shfaqen turmat SS me këmisha të zeza nëpër rrugë? Dje ne përkujtuam me ose padashje 20 vjetorin e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998. Ato skena do të ishin të mjaftueshme për kujtesë që ajo histori të mos përsëritej kurrë më në të ardhmen.
Edhe sot e kësaj dite më jehojnë në vesh e më ngjethin ato duartrokitjet për Hitlerin në vitin 1991. Kush ishin duartrokitësit e Hitlerit atë mbrëmje? Nuk ka nevojë për shumë hamendësime.
Ndaj dhe aktualisht, kemi të bëjmë me dekomunistizim apo me fashistizim të shoqërisë shqiptare? Kjo është çështja. Mendoj se nën petkun e luftës kundër dekomunistizimit po ushqehet e inkurajohet që nga viti 1990 fashistizimi me një stoicizëm të paparë . Është një makth i tmerrshëm ky për shqiptarët që, sido që ta servirësh, ka një frymë hitleriane të pamëshirshme brenda saj. Atdhetarizmi nuk duket gjëkundi. Demokracia është krejtësisht e papërfillshme dhe inekzistente.
Prandaj dhe i justifikoj të dëshpëruarit dhe pesimistët. Është e hidhur ta pohosh një fakt të tillë, por nuk gjej dot argumente për të kundërtën. Demokracia na ka mbetur si një ëndërr, një iluzion i paarritshëm, ndërsa rrugëtimi ynë drejt Europës demokratike zgjatet e zgjatet pambarimisht…