Kreu i Shtetit Ilir Meta në një deklaratë për mediat nga ambientet e Presidencës u shpreh se në Kushtetutë nuk ka asnjë afat të caktuar për presidentin për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Duhet të keni të qartë ju si gazetar dhe çdo qytetar se nuk ka një afat të caktuar në Kushtetutë për Presidentin e Republikës. Ka një afat për Parlamentin sepse dihet që është një institucion kolegjial por nuk kemi një afat për Presidentin. E dyta, Kushtetuta është mbi çdo gjë. Për herë të parë krijohet Gjykata Kushtetuese sipas reformës dhe është tepër e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta aq më tepër Gjykata Kushtetuese. Çdo akt në këtë proces i Presidentit, i Parlamentit dhe institucioneve të përfshira është historik sepse do mbetet si referencë në të ardhmen. Çdo veprim do të jetë precedent për të ardhmen”, u shpreh Meta duke iu përgjigjur pyetjes së njërit prej gazetarëve të pranishëm në konferencë.
Konferenca vjen fill pasi Kreu i Shtetit firmosi emrin e Marsida Xaferllarit, si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.