Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, po tregon nga dita në ditë se është mosmirënjohës ndaj të gjithë atyre që e kanë mbajtur në politikë. Fatos Nano e bëri atë drejtor Tatimesh e Doganash dhe ai refuzoi të jepte firmën që ai të dilte si kandidat për president. Berisha e mbajti në koalicion dhe sapo PD humbi, shkoi me Ramën. PS i dha një sërë postesh, ndërkohë që Idrizi deklaron se nuk mori asgjë nga mazhoranca. Pak ditë më parë kreu i çamëve ju përgjigj të gjithë kritikëve që e quajnë parti klienteliste, duke deklaruar se PDIU nuk përfitoi asgjë nga koalicioni me PS.
Por si qëndron e vërteta? Kryeministri Edi Rama në qendër të fushatës zgjedhore të 2017 kishte eliminimin e klientelizmit dhe dy partitë që goditi më shumë ishin LSI dhe PDIU. Për LSI dihet që kapi mbi 80 drejtori, por nuk mbeti pas as PDIU. Nëse kthehemi pas në kohë, rezulton se PDIU ka marrë minimialisht 6 drejtori të mëdha dhe shumë të tjera të vogla, pa përfshirë këtu që kishte një post zv/ministri dhe zv/kreu Kuvendi. Nëse i marrim me radhë, rezulton se pasi Rama afroi Idrizin në “tepsinë e pushtetit” në 2015, PDIU mori disa drejtori të mëdha. Drejtoria e Parë që mori ishte Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kontrollit Shëndetësor, i njohur si FSDKSH.
Në krye të kësaj drejtorie u emërua Vjollca Braho. Pak muaj më pas kjo e fundit lëvizi nga ky post dhe u emërua në krye të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, drejtori që i kaloi po PDIU. Rama i dha Idrizit dhe Arkivin e Shtetit. Në krye të tij u emërua Ardi Bido, dikur zëdhënës i PDIU. Si për ironi ai vijon të jetë sot ende në këtë detyrë. Një tjetër drejtori akoma më e madhe që ju besua çamëve nga mazhoranca, është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pasi në krye të tij u emërua Dritan Sejko që në vitin 2016, i cili vjen nga radhët e PDIU. Para tij ishte Isuf Shehu po i PDIU. AKU ka me qindra inspektorë në të gjithë vendin dhe fakti që ditët e fundit po bllokohen me tonelata produkte të skaduara apo të pacertifikuara, tregon se në çfarë gjendje e la PDIU këtë institucion.
Karburantet dhe automjetet
AKU, ISSH, FSDKSH nuk janë të vetmet drejtori të rëndësishme që Idrizi i mori PS. Një tjetër sektor që ju dha çamëve është ai i karburanteve. PDIU emëroi kreun e Inspektoratit të Kontrollit të Cilësisë së Karburanteve, i cili ishte Gazmend Osmani. Shpëtim Idrizi mori dhe Drejtorinë e Shfrytëzimit të Automjeteve pasi në krye të këtij institucioni u emërua Galip Taho, i cili përfaqësonte po PDIU. Pra në rang kombëtar PDIU mori 6 drejtori të rëndësishme. Më tej mësohet se çamët morën dhe drejtori rajonale, siç ishte Hipoteka e Sarandës apo spitali i Fierit. Sikur të mos mjaftonin vetëm këto, PDIU mori postin e zv/ministrit të Jashtëm, i cili u mbajt nga Halil Hyseni po i PDIU.
Vetë Shpëtim Idrizi mbajti postin e nënkryetarit të Parlamentit, të cilin ja rrëmbeu Vangjel Dules. Përveç kësaj, nga viti 2015 deri në 2017, Idrizi në çdo studio televizive ushtronte presion ndaj Ramës që të bëhej ministër. Ai kërkonte krijimin e Ministrisë së Diasporës që ta drejtonte ai. Pra nga gjithë lista e mësipërme duket qartë se PDIU jo vetëm që ka qenë parti e vënë pas pushtetit dhe posteve, por gjithmonë ka luftuar për të kapur qeverinë.
Kliti Topalli