Pistoleta e gjetur në Laprakë nuk i përket Klodian Rashës. Kjo është përgjigjja e ekspertizës për armën e zjarrit të gjetur 80 m larg vendit ku u vra 25-vjeçari nga efektivi i “Shqiponjave”, Nevaldo Hadëraj.
Ekspertët në laboratorin kriminalistik nuk kanë gjetur asnjë gjurmë gishtash.
Arma tip, pistoletë u sekuestruar nga polici me inicialet F.A, është çuar për ekzaminim të gjurmëve të gishtave. Pistoleta është gjetur disa minuta pas ngjarjes, nga punonjësi i policisë me inicialet F.A. Arma është zbuluar pas krehjes së zonës që ka bërë policia, duke verifikuar çdo metër ku kishte kaluar Klodian Rasha.
Sipas dokumentacionit, pistoleta është gjendur brenda një pellgu me ujë, dhe gjetja e saj është kryer vetëm pasi është kontrolluar me këmbë dhe elektrik dore, sipërfaqja e ujit. Prania e armës në uj, e bën të pamundur të nxiret një konkluzion i saktë deri në këto momente, duke mbuluar me mister enigmën nëse arma pistoletë e gjetur i përkiste ose jo viktimës Klodian Rasha, që mbeti i vrarë në vend në mëngjesin e datës 8 dhjetor 2020, vetëm 70 metra larg banesës së tij.
Ndërkohë që sa i takon dosjes hetimore ajo ka përplasje të mëdha me njoftimin e Policisë së Tiranës pas ngjarjes, duke nisur që nga ora kur ka ndodhur vrasja, deri te fakti që i riu ka vdekur në vend dhe jo në spital, siç deklaronin në njoftim blutë e Tiranës.
Salla operative është lajëmruar nga dy efektivët rreth orës 01:09 minuta dhe tre minuta më vonë kanë kërkuar ambulancë, pa dhënë asnjë arsye se pse ajo u duhej. Në orën 01:14 është komunikuar për një person të vdekur, çka bie ndesh me njoftimin e policisë, që thuhej se viktima ishte vrarë në orën 01:45 minuta, dhe se ka ndërruar jetë në spital dhe jo në vendin e ngjarjes.
Lidhur me hetimet, ato janë duke u bërë në mënyrë intesive qoftë nga SHÇBA, qoftë edhe nga prokuroria e Tiranës, ndërsa një interes të madh për këtë çështje kanë pasur drejtuesit më të lartë të institucioneve, duke përfshirë edhe vetë drejtuesen e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj.
Sipas mjekëve në spitalin e Traumës, vdekja e të riut është shënuar në orën 01;24 minuta, shumë më herët se nga raportimi i Policisë. Pritet që efektivit të Shpiponjave ti konfirmohet masa e sigurisë arrest me burg, siç ka qenë dhe kërkesa e prokurorisë së Tiranës.