Është identifikuar viktima e sulmit me armë në Greqi, që ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në një resort në Halkidiki.
Viktima është Orhan Bajrami, një biznesmen i njohur shqiptar në Maqedoninë e Veriut. 39-vjeçai ishte pronar kazinoje dhe tregtar i pijeve alkoolike.
Ai u vra pas një sulmi me armë nga persona të maskuar ndërsa ishte duke qëndruar në apartamentin e tij të marrë me qira në një resort, ku ndodhej me pushime me shokun e tij, një 45-vjeçar, Sead Slezoviq, i cili nga sulmi mbeti i plagosur.
Likuidimin e Orhan Bajrami-Oki e kanë bërë dy persona, në hapësirë të hapur, mëson “Makfax”.
Sipas informacioneve jozyrtare që disponojnë organet kompetente në Maqedoni, autorët e vrasjes ishin me motor dhe të veshur me fantoma. Në vendngjarje u gjetën dhjetëra gëzhoja. Personat e dinin rrugën e lëvizjes së Bajrami-Okit, por edhe të partnerit të tij Sead Slezovic, i cili është i plagosur rëndë dhe në rrezik për jetën. Të shtënat, sipas informacioneve fillestare që duhen konfirmuar, kanë qenë nga dy armë, pra dy personat.
Dyshohet se ky likuidim ishte planifikuar prej kohësh. Gjithashtu janë ndjekur edhe dy personat që kanë qenë objektivi. Mediat greke i paraqitën si: “turistë nga Maqedonia e Veriut”, dhe nuk dihet se sa kohë kanë qëndruar atje dhe nëse kanë pritur që të likuidohen.
“Makfax” ka publikuar detaje për shtetasin maqedonas të likuiduar në Greqi, Orhan Bajrami – Oki, i cili për publikun maqedonas njihet si pjesë e nëntokës mafioze. Ai konsiderohej një udhëheqës joformal i të ashtuquajturve grupi “Dyqanxhiu”.
Deri më tani mediat greke raportuan se një biznesmen 39-vjeçar, pronar i një kazinoje në Maqedoni, është qëlluar nga persona të panjohur në Halkidiki me mbi 20 plumba, ndërsa shoku i tij është plagosur rëndë. Orhan Bajrami (lindur 1984) ka vdekur dhe Sead Slezoviq (1978) është plagosur. Dy biznesmenët ishin aktivë në Maqedoni, në një kazino dhe një fabrikë pijesh, raportojnë mediat greke.
Orhan Bajrami, njihej me nofkën “OKI” dhe ka pasur disa precedentë të mëparshëm penalë.
Vetëm disa muaj më parë në qendër të Shkupit u vra Jeton Krivanjeva, një bashkëpunëtor i ngushtë i Orhan Bajrami.
Vrasja ka mbetur ende e pazbardhur dhe dyshohet të ketë lidhje me biznesin e lojërave të fatit.