Nga Flogert Muça
Që nga dita e parë kur ju dhurua Partia Demokratike për ta drejtuar, Lulzim Basha nuk ka bërë kurrë një opozitë që të quhet e tillë. E vetmja gjë që e ka bërë mirë, ka qenë sherri brenda PD-së, listat si i deshti vetë dhe vendosmëria për të mos dalë kurrë nga Tirana për në ndonjë qytet, qytezë apo larg o zot fshat të Shqipërisë. Përjashtim këtu bën Hollanda, ku lideri demokrat e ka si shtëpinë e tij të dytë, në të gjitha kuptimet.
Kjo mënyrë drejtimi që ka zgjedhur të bëjë Lulzim Basha e çoi Partinë Demokratike në pikiatë dhe e tkurri në numra të papërfillshëm në parlament. Vetë partia e tij sot është e ç’organizuar deri në atë pikë, saqë në zgjedhje mbi 150 mijë demokratë refuzuan të dalin në votime. Natyrisht, ky ishte një lajm i mirë për të gjitha partitë e tjera.
Prej ditësh Basha dhe Kryemadhi kanë lajmëruar një protestë që do të mbahet nesër në orën 12:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. E vetmja gjë që kanë bërë që të bindin qytetarët t’i ndjekin nga pas nesër, janë daljet televizive në secilin prej tyre. Me orë të tëra në media duke kërkuar që në datën 27 janar, populli t’i ndjekë nga pas. Përjashto disa takime partie modeste nëpër sallat e këshillave bashkiakë në Kavajë e Kamëz, pjesa tjetër ka qenë një terr.
Dembelizmi i kësaj opozite për të dalë dhe shkelë, dëgjuar e parë çdo fshat të Shqipërisë e më pas për të ndërtuar një platformë, është në fakt edhe ajo ç’ka simbolizon tubimin e nesërm. Lidershipi i të dy partive kryesore opozitare nuk ka dhënë asnjë alternative ndryshe për shqiptarët. Nuk kanë as denjuar ta ngrenë fundshpinën nga karriget e tyre në Tiranë për ta zhvendosur atë nëpër fshatrat e qytezat e Shqipërisë. Thënë ndryshe, nuk e njohin Shqipërinë e kësilloj nuk kanë sesi të kenë një alternative për vendin tonë hallemadh.
Edhe thirrja e militantëve në Tiranë, duke vënë autobuzë në dispozicion, është dëshmi e një filozofie dembelizmi të paprecedentë. Lideri aktual i demokratëve e ka treguar se është kampion në këtë fushë, por nuk ngelet pas as LSI, parti e cila në tetë vite ka marrë ‘qyl’ pushtet dhe në fund ka deklaruar se nuk ka asnjë përgjegjësi për qeverisjen.
Sot ndodhemi përballë një opozite që përpos qëndrimit e tyre kundër SHBA-BE, përpos qëndrimit kundër reformës në drejtësi, përpos tkurrjes së madhe që kanë në elektorat, i bashkon edhe dembelizmi për të shkuar në çdo derë shqiptari për të dëgjuar e më pas ndërtuar një alternativë qeverisëse.
Protesta e nesërme mund të ketë militantë që kanë ditë që organizohen me çdo mjet për të mos u turpëruar Basha e Kryemadhi në bulevard, por, ajo protestë nuk ka frymë sepse nuk ka realitetin brenda. Nuk ka atë realitet që Basha e Kryemadhi përtojnë të shkojnë e ta njohin, ndaj i kanë rënë shkurt duke thirrur militantët në shesh për të kërkuar sigurinë e tyre nga reforma në drejtësi. Përtacëria e tyre është ‘vrasësja’ më e madhe e protestës!