Shqipëria ka bërë sot debutimin në Olimpiadën Dimërore ‘Milano Cortina 2026’. Në pistën e Bormio, skiatori Denni Xhepa u rendit në vendin e 34-t nga 42 garues në disiplinën e Super Gjigandit, në një garë që më shumë vlente për të provuar se mund ta çonte deri në fund, se për një rezultat.
Xhepa e mbylli garën në vendin e 34-t me kohën 1 minutë 31 sekonda e 72 të qindtat. Podiumi u dominua nga Zvicra, pasi medaljen e artë e siguroi Franjo von Allmen, e treta për të në këtë Olimpiadë, ndërsa vendin e dytë e zuri Ryan Cochran-Siegle i SHBA-së. Sërish një skiator i Zvicrës në vendin e tretë, me Marco Odermatt që duhet të ketë qenë i zhgënjyer pasi donte të artën, por duhet të kënaqet me medaljen e bronztë.
Skiatori 23-vjeçar bëhet shqiptari i parë që përfaqëson ngjyrat kuqezi në një garë shpejtësie në Olimpiadën Dimërore. Xhepa në Lojërat e Pekinit katër vite më parë u pozicionua në vendin e 28-të, por jo në Super-G.
Denni do ketë edhe dy gara të tjera në këto Lojëra, pasi më 14 shkurt do garojë në disiplinën e Slalomit Gjigant, garë që nis në orën 11:30 në Bormio. Ai do e mbyllë garimin në Olimpiadë më 16 shkurt në disiplinën e Slalomit, garë që do fillojë në orën 10:00 në pistën e Bormios.
Kujtojmë se kjo është hera e parë që vendi ynë përfaqësohet nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti janë sportistët e Shqipërisë në ‘Milano Cortina 2026’.
Kalendari i plotë i garave të sportistëve shqiptarë në ‘Milano Cortina 2026’:
Më 11 shkurt: Denni Xhepa mori pjesë në garën e Super Gjigandit që filloi në orën 11:30 në Bormio.
Më 14 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigant që starton në orën 11:30 në Bormio.
Më 15 shkurt: Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigand në orën 10:00 dhe lëshimi i dytë në 13:30 (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.
Më 16 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalomit në orën 10:00 në Bormio.
Më 18 shkurt: Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën Slalomit në orën 10:00 dhe 13:30 lëshimi i dytë (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.






