Për dorëheqjen e Ramush Haradinajt si kryeministër i Kosovës, ka reaguar edhe Departamenti amerikan i Shtetit. Në një deklaratë të shkurtër për “Zërin e Amerikës” është deklaruar se përgëzojnë Haradinajn për këtë vendim.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë respektimin nga ana e tij të thirrjes për t’u paraqitur para Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Dhomave të Posaçme për Kosovën”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dha dorëheqjen e pasi është thirrur për të dëshmuar në Hagë. Në një konferencë për shtyp, Haradinaj u shpreh se hoqi dorë nga posti pasi nuk mund ta cenonte nderin e Kosovës. Së shpejti Kosova zhvillon zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Gjatë fjalës së tij para mediave, Haradinaj njoftoi se sërish do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të zhvillohen, duke shprehur se sovrani do t’i japë sërish besimin për të drejtuar vendin.