Nga Ilir Mborja
“Nëse ju mendoni vërtetë se ky parlament do të shpërndahet prej presidentit, atëherë presidenti nëse e bën këtë gjë, t’i thotë burgut hapu!” – tha Rudina Hajdari nga foltorja e Kuvendit.
Pas kësaj, ajo shpjegoi se: “Ai nuk e ka kompetencën e shpërndarjes së parlamentit dhe, se shpërndarja e parlamentit (përveçse dy situatave të parashikuara në kushtetutë) është një shkelje e rëndë e kushtetutës.”…
Meqenëse më rezulton se ai, Ilir Meta, mund ta ndërmarrë këtë veprim të çmendur, po ju drejtohem të gjithë deputetëve dhe po mundohem t’jua shpjegoj arsyen e dëshirës së tij për t’i thënë sot burgut hapu: Të nderuar deputetë!
A ju ka shkuar ndonjëherë në mendje se që prej kohës kur e pa të pashmangshme burgosjen e tij për korrupsion, Ilir Meta ka një dëshirë (sigurisht të detyruar nga zori) për t’u burgosur për një motiv politk?
A nuk është pikërisht i tillë, politik, siç e dëshiron ai, motivi i shkeljes së rëndë të kushtetutës? Kjo dëshirë, për t’u viktimizuar si i burgosur për arsye politike, i lindi kur, kërcëllimën e prangave si i korruptuar, ia treguan hapur në Uashington më 29 tetor të 2015-s, gjatë intervistës së tij dhënë gazetares në studion e “Zërit të Amerikës”…
Është lehtësisht e provueshme, se, që nga ajo ditë, ai mendon vetëm për modifikimin e akuzës dhe devijimin e saj nga ordinere në politike. Harruat çfarë deklaroi më 6 gusht të 2016 tek intervista e botuar në gazetën “Panorama”? Ja u kujtoj unë: “…
Pra, kur Fatos Nano, i lindur në mes të Tiranës e përballoi me aq sukses burgun politik, e kjo mendoj se është periudha e tij më e lavdishme nga pikëpamja politike – padyshim që për mua, që kam lindur në majë të malit, burgu është shumë më i lehtë dhe motivues për të rritur më tej LSI-në dhe mbrojtur demokracinë në vend.”.
Edhe me gatishmërinë e “vetëflijimit të tij si Allende” që u ofroi amerikanëve nga Pogradeci më 20 prill të këtij viti, bashkë me kanosjen se do të destabilizonte Shqipërinë po të mos e amnistonin si të korruptuar, duke krahasuar veten me Allende-n, Ilir Meta drejtëpërdrejt shpalli ofertën e “dëshmorit politik”…
Edhe kur na kujton burgosjen e Fatos Nanos në intervistën e 6 gushtit të 2016-s, ai nuk harron të përmendë rolin amerikan sipas tij në atë histori…
Formimi i afërt i SPAK-ut, gjakderdhja (shumë e dëshiruar prej tij) ende e pandodhur, pjesëmarrja e ulët në mitingun e radhës, mund ta shtyjnë atë që siç tha deputetja Hajdari: “T’i thotë burgut hapu!”. Ndoshta 10 minuta para mitingut, ndoshta në mes,.. Kinse për të shmangur anarkinë, ai mund të nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Parlamentit…
Atëherë, për mungesën e të paktën të 84 votave të deputetëve, do të shtyhet edhe për ca muaj formimi i SPAK-ut dhe i Gjykatës Kushtetuese…
Ndërsa shqiptarët, pas ca kohësh në gjyqin e tij do të dëgjojnë apologjitë e mbushura me plot “atdhedashuri” nga “i vetësakrifikuari për Shqipëri e shqiptarë”, “i dënuari politik”, ish presidenti Ilir Meta…
Deputetë! Apologjitë e hajdutit nuk ua kemi borxh. Prandaj, mos ia jepni këtë mundësi! Boll halle na keni shkaktuar. Prandaj: Ose mblidhuni e lidheni, ose shpërndahuni para se t’ju shpërndajë ai!