Shpëtim Idrizi ka mbetur zyrtarisht pa asnjë përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë. Ditën e djeshme në drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, mbylli punimet Sesioni i II-të, i Legjislaturës së IX të Kuvendit të Shqipërisë, ku u miratuan katër ligje, pesë marrëveshje, dy projektvendime dhe një projektrezolutë.
Dhe 3 deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Reme Lala, Dritan Bici dhe Elena Xhina konfirmuan që janë pjesë e mazhorancës qeverisëse, duke votuar çdo projektligj, ligj, amendament apo nismë të socialistëve. Madje, që të tre duket se janë besnikë ndaj shumicës, më shumë se sa vetë deputetët e Partisë Socialiste, edhe pse zyrtarisht dy prej tyre nuk kanë deklaruar se kanë braktisur PDIU.
Kjo do të thotë se Idrizi nuk ka më deputetë në sallën e Parlamentit, ç’ka ka filluar ta shqetësojë se tepërmi kreun e çamëve. Mirëpo, braktisja e deputetëve Bici, Lala dhe Xhina nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk është fenomen i ri me të cilën partia e Idrizit po përballet. Më herët nga kjo parti kanë ikur edhe mjaftë këshilltarë, të cilët i janë bashkuar Partisë Socialiste gjatë eksodit të pranverës, duke e thelluar edhe më tej krizën në këtë parti.
Idrizi sytë te Meta
Në këto kushte, kur anija e PDIU po “fut” ujë nga të dyja anët si në nivel lokal, ashtu edhe qendror, shpresa e vetme për Idrizin duket se është Presidenti Ilir Meta. Burimet të sigurta pranë PDIU i thanë gazetës se në kushte kur zgjedhjet lokale janë afër, Idrizi ka nisur kontaktet me Metën, në mënyrë që ky i fundit të ndikojë tek drejtuesit e LSI, me qëllim që PDIU të hyjë në koalicion me partinë e Kryemadhit në këto zgjedhje. Mësohet se kjo lëvizje e Idrizit vjen në kushtet e një krize të thellë, në të cilët ndodhet partia që ai drejton. Thënë më drejtë nga frika se mos humbasë, bastionet ku ka kryetarë bashkie edhe këshilltarët që posedon aktualisht në pushtetin vendor, Idrizi ka menduar që të katapultohet përmes Metës, për të bërë një marrëveshje me LSI që së bashku të hyjnë në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Kreu i PDIU në sulm ndaj qeverisë
Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi kohët e fundit ka sulmuar shumë fort qeverinë “Rama”. Javën e parë, teksa ishte i ftuar në një studio televizive Idrizi shtoi dozën e sulmeve ndaj shefit të qeverisë, duke thënë se ai është sot jashtë Parlamentit për shkak të afrimit të qeverisë me grekët. Ndërkohë që nga ana tjetër, gazeta mësoi se deklarata e ditëve të fundit të kreut të PDIU lidhen me luftën e tij për të mos humbur poste drejtorësh. Në disa zona si Elbasani apo Tirana Idrizi ka drejtimin e disa drejtorive, sidomos në Sigurimet Shoqërore. Edhe pse ka nisur një reformë rrënjësore në të gjithë vendin, shumë të emëruar nga PDIU nuk janë shkarkuar. Por qeveria po përgatitet për një valë të dytë shkarkimesh dhe kjo ka trembur Idrizin, i cili tashmë ka rritur presionet që të jetë dhe ai pjesë e tepsisë. Ka shumë drejtorë të LSI dhe të PDIU që janë ende në detyrë. Shumë nuk janë shkarkuar sepse kanë arritur të marrin statusin e nëpunësit civil, ndërsa disa të tjerë kanë filluar të anëtarësohen me PS. Po ashtu në bashkitë që drejton PDIU, njerëzit e Idrizit janë në poste kryesore. Sinjalet janë se dhe ata mund të humbasin vendet e punës dhe tashmë Idrizi është vënë në lëvizje duke sulmuar qeverinë përmes medieve. /Rigels Seliman