Deputeti demokrat Muslim Murrizi, ka komentuar arrestimet e ndodhura sa fundmi.
Ai thotë se këto arrestime janë bërë për shou.
Murrizi thumbon padashje edhe Berishën, për arrestimin e Fatos Nanos.
“Fakti që dje gjykata reagoi krejt ndryshe nga arrestimet për shou, tregon më së qarti se deklarimet e opozitës janë të përligjura. Unë nuk e njoh Fran Frrokajn, kryetarin e Bashkisë Lezhë. Por njoh shumë mirë mënyrën bolshevike të kodit tonë të procedurës penale sovjetike. Franin e Bashkisë dhe Artën e prokurorisë i njoh nga ekrani.
Përvoja 27-vjeçare post- komunizëm ka treguar që arrestimet janë bërë njëlloj si në kohën e diktaturës, për shou, për propagandë, për luftë politike dhe klanesh, si edhe për të trembur të tjerët e për të hequr vëmendjen nga krimet reale, që po e gërryejnë çdo ditë këtë vend. Kështu u arrestua Fatos Nano, e pastaj mori dëmshpërblim sa deshi vetë.
Kështu u arrestuan edhe Halit Shamata, Blerim Çela, Bujar Rama, Kreshnik Lusha, etj dhe të gjithë morën pafajësinë dhe dëmshpërblim. Kështu u arrestua Bujar Himçi, ish zv-ministër i Brendshëm dhe Llambi Pite, ish-zv/guvernator dhe dolën të pafajshëm. Kështu u arrestua Nikolin Jaka, ish-zv/minister dhe Ilir Berzani, ish- drejtor i Rrugëve dhe morën dëmshpërblim.
Po kështu, u arrestua edhe Shpëtim Gjika dhe mori pafajësinë. Me shumë bujë u arrestua Ardian Fullani, gati-gati si Kadri Hazbiu dhe mori 800 milionë lekë dëmshpërblim. U arrestua nën/prefekti i Kavajës, Fatos Kaja dhe pas 5 muajsh doli se i kishin falsifikuar firmën”, thotë ai në një intervistë për AFP.al.
“I përmenda të gjitha këto, për të treguar pikërisht faktin se sistemi ynë i drejtësisë është fatkeqësisht i indoktrinuar nga kultura staliniste diktatoriale dhe me një servilizëm të pështirë ndaj politikës prej 27 vitesh”, vijon ai.(TemA)