Deputeti demokrat Dash Sula ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e djeshme në Kuvend. Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se mbrëmjen e djeshme, 14 shtator, Prokuroria e Tiranës ka prerë tre urdhër-arreste për tre oligarkë, të cilët kanë ndërtuar pa leje.
Mirëpo, sipas asaj që deklaroi vetë Sula, këto urdhër-arreste janë kthyer mbrapsht për shkak të presionit që i është bërë organit të akuzës. Deputeti i PD ka sfiduar Prokurorinë e Tiranës që të dalë me deklaratë dhe të përgjënjeshtrojë lajmin.
“Le ta përgënjeshtrojë Prokuroria e Tiranës. Mbrëmë kanë dalë tre urdhër-arresti për tre oligarkë që kanë ndërtuar këtu pa leje, nga Prokuroria e Tiranës. Dhe janë tërhequr të tre urdhër-arrestet. Nuk po ua them emrat, dhe mund t’i merrni vesh dhe t’i kuptoni.
Tre urdhër-arresti ka tërhequr Prokuroria e Tiranës mbrapsht. Se i është bërë presion Prokurorisë së Tiranës, që personat të cilët kanë bërë shtesa kati këtu, oligarkë, nuk janë arrestuar. Kjo është e vërteta që ta dini”, u shpreh Dashnor Sula, deputet i PD.
Kujtojmë se, ditët e fundit Qeveria Shqiptare ka nisur një aksion të quajtur “operacioni i konfiskimit”, për bllokimin e të gjithë ndërtimeve dhe katet pa leje në objektet e ndërtuara kohët e fundit në vend. Aksioni ka nisur nga Tirana.
Deri tani, është njoftuar publikisht konfiskimi i dy ndërtimeve në Njësinë e Farkës. Është konfiskuar një pallat i ndërtuar i gjithi pa leje, sipas Qeverisë, në pronësi të biznesmenit Lul Morina. Ndërkohë, është bllokuar dhe një kompleks tjetër, po në këtë zonë, në pronësi të biznesmenit Pllumb Salillari.