Drejtuesi politik i PD-së në qarkun e Shkodrës, Helidon Bushati i ka kërkuar falje publikisht gazetarit Ergys Kavaja, e cili e denoncoi se e kishte kërcënuar përmes një telefonate.
Ky kërcënim iu bë gazetarit, pas një analize që ai kishte bërë pas zgjedhjeve parlamentare për qarkun e Shkodrës, ku theksohej se PD-ja nuk kishte pasur arritje, madje kishte të njëjtën rezultat si në zgjedhjet e katër viteve më parë.
“Dua të denoncoj publikisht dhe pa asnjë rezervë sjelljen kërcënuese, fyese dhe denigruese të Drejtuesit Politik të PD në Qarkun Shkodër Helidon Bushati ndaj personit tim!
Sot në drekë mora një telefonatë nga Deputeti i zgjedhur i Shkodrës Helidon Bushati, i cili nuk më lejoi as ta përshëndesja pasi vijoi me një lum fyerjesh banale dhe kërcënime për mua dhe familjen.
Në 15 vite si gazetarë në Shkodër jam përballur me shumë ngjarje, zhvillime apo personalitete të politikës me të cilët kemi pasur edhe mendime të kundërta por asnjëherë dhe askush nuk ka guxuar të mbërrijë në kërcënime për mua dhe familjen time!”, shkruante Kavaja në një status në Facebook.
Pas një orë ndaj këtij statusi, ku pati edhe reagime të shumta, ka ardhur dhe pendesa e deputetit të PD-së, Helidon Bushati. Ai ka kërkuar ndjese publike për ofendimet dhe kërcënimet në telefon kundrejt gazetarit Ergys Kavaja.
“Në formimin tim dhe në edukatën time qytetare që rrjedh nder breza, nuk ka vend per fyerje dhe presione. Ndaj askujt. Jam dhe do te jem Helidoni që të gjithë më njohin. Fatkeqësisht, ndodh të jem edhe unë njeri gjaku dhe mishi.
Njeri i emocioneve, sidomos kur luftoj dhe e dua të mirën. E aq më tepër, kur kjo e mirë tenton të sfumohet në dëm të Shkodres.
Në dëm të këtij qyteti që duhet të fitojë mbi të keqen. U përfshiva emocionalisht në një situatë të tillë me gazetarin Ergys Kavaja, të tejkalimit të caqeve dhe të thyerjes së etikës.
Prandaj, dua të jem i njëjti Helidon që të gjithë më njohin, dhe ndjesa ime është e sinqertë. Kam qene dhe do të mbes gjithmonë miku i të gjitheve, dhe i gazetarëve”, shprehet Bushati.
Më pas gazetari Kavaja zbulon se drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës e ka marrë në telefon duke i kërkuar ndjesë për ngjarjen.
“Sot ka qenë një nga ato ditë kur jam ndjerë vërtet i prekur në sedër por kam marrë më shumë se asnjëherë mbështetje dhe vlerësim të shprehur nga dhjetëra telefonata dhe qindra mesazhe.
Falënderoj çdo mik dhe koleg, bashkëpunëtor, profesionist, politikan nga ato vendor deri tek ato të niveleve të larta qendrore që bashkëndanë shqetësimin me mua duke më treguar që në betejën e të bërit gazetari nuk jam vetëm.
Sa për deputetin Helidon Bushati përveç statusit të tij me të cilin tashmë jeni njohur, unë pata dhe një bisedë, ku i kemi folur njëri tjetrit si dy shkodranë që njohin kodet e burrërisë, fjalës dhe mbi të gjitha faljes…”, shkruan Kavaja.