Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu i pyetur në një intervistë për “Fax News”për mundësinë e bashkëpunimit PS-PD, u shpreh se Rama i ka dhënë “letrën bosh” opozitës për hir të reformës në drejtësi.
Ndreu ka paralajmëruar tërmet në politikën shqiptare, pasi reforma do të implementohet dhe të prekurit do të jenë edhe nga ana e maxhorancës.
“Edi Rama ka shkuar deri atje sa për këtë reformë u ka dhënë edhe letrën bosh, ne jemi të vendosur që ky vend të zhvillohet, ka vetëm një klauzolë implementimi i reformës në drejtësi dhe ngritja e strukturave antikorrupsion që janë Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme.
Do të implimentohet edhe me këto pengesa, ne nuk lusim opozitën, opozita është e pozicionuar hapur për pengimin e saj”,- ka vazhduar Ndreu.
Deputeti ka treguar, se PS-ja do ta çojë deri në fund Reformën në Drejtësi, edhe duke e ditur se do paguajmë kostot tona.
“Do ketë shumë të penalizuar brenda maxhorancës, do paguajmë edhe ne faturën.
Ajo reformë është një tërmet, se kë do zërë nuk e di dhe për shkak të atij tërmeti dikush është në panik.
Nëse ka një moment ku ne ndahemi nga shteti i korruptuar ky është rasti çdo lloj interpretimi tjetër është për të ruajtur atë strukturë që kishim deri dje.
Shumë shpejt do të implimentohet reforma”, – ka thënë ai më tej.