Arbi Agalliu është një ndër prurjet e reja të Partisë Demokratike, i cili prej shtatorit do të përfaqësojë opozitën në parlament. Në një intervistë për A2, i zgjedhuri i qarkut të Vlorës, tregon dhe arsyen që e shtyu drejt angazhimin politik.
“Si një individ që ka vendosur të ngrejë jetën e tij në Shqipëri, si një prind i dy fëmijëve, padyshim që më nxit për të bërë aq sa mundem aq sa mund në këtë sistem për të kthyer shpresën”, shprehet Agalliu.
I ardhur nga fusha akademike, ku ka shërbyer për vite me radhë, Agalliu sheh arsimin në vend si problematik ndërsa evidenton dhe problemet e të rinjve.
Qasjen e PD-së ndaj të rinjve, Agalliu e sheh si pozitive e po ashtu cilëson dhe ndryshimet brenda partisë.
“Po të vësh re listat e PD-në në këto zgjedhje ka pasur një përzierje të personave me eksperiencë politike dhe individësh si unë, të rinj që nuk kanë qenë kurrë pjesë e politikës, por thjesht kanë kontribuar në mënyrë vullnetare brenda PD-së.
Si çdo forcë politike ka uljet dhe ngritjet e saj. Në fund të ditës, partia vetëm forcohet nga kjo. Gjithë procesi është shumë i rëndësishëm dhe për hapjen.Hapja dhe gjithëpërfshirja është shumë e rëndësishme për partinë”, shton deputeti i ri.
Ndonëse hyn në Parlament si pjesë e brezi të ri demokratësh, kur pyetet për Sali Berishën, Agallia thotë se ardhmja nuk duhet shkruar duke harruar të shkuarën.
“Partitë janë bërë për të bashkuar njerëzit e ideologjive të njëjta. Nëse nga partitë largojmë njerëz, atëherë humbasim nocionin e Partisë. Sali Berisha, është pjesë e historisë politike, duam ne s’duam ne. Ka kontribut të jashtëzakonshëm për PD”, shtoi Agalliu.