Deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës, Artemis Malo ka thumbuar opozitën joparlmentare, pas akuzave të kësaj të fundit në adresë të qeverisë se braktisi qytetarët shqiptarë në pikat doganore me Greqinë.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, e teksa ka vendosur një diçiturë një sorrë dhe një shqiponjë, deputetja Malo e cilëson opozitën sorrë që sipas saj duhet shpërfillur me indiferencë, pasi sipas saj, shqiponja (qytetarët+PS), nuk merret me sorra. “I vetmi zog që guxon të kapë një shqiponjë është sorra.
Ajo ulet në shpinë dhe kafshon qafën. Sidoqoftë, shqiponja nuk përgjigjet dhe as nuk lufton me sorrën, ajo nuk harxhon kohë dhe energji me sorrën. Thjesht hap krahët dhe fillon të ngrihet më lart në qiell. Sa më i lartë të jetë fluturimi, aq më e vështirë është për sorrën të marrë frymë dhe bie nga mungesa e oksigjenit. Pra, ndaloni të humbni kohën me sorra.
Merrini ato në lartësitë tuaja dhe ato do të zhduken. Është mënyra e vetme për të çliruar veten nga rrëmujat e panevojshme dhe të parëndësishme”, shkruan ajo. Më tej në një status të dytë, deputetja Malo falënderoi qytetarët gjirokastritë për solidaritet dhe mbështetjen logjistike që iu dhanë bashkëqytetarëve shqiptarë, të cilët ishin bllokuar në pikën doganore të Kakavijës për shkak se autoritet doganore greke nuk i lejonin të kalonin. “Këto 4 ditë, një tjetër situatë e vështirë për shqiptarët.
Në këto ditë, kam marrë kaq shumë mesazhe, kaq shumë ofrime, nga shumë bashkëqytetarë, miq e shokë, nga i gjithë qarku im, sa çdo koment është i tepërt! Ju falënderoj nga zemra që akoma edhe njëherë, si në ditët e tmerrshme të tërmetit, si në javët e para të flamës së keqe, po ashtu edhe sot, tregoni se ne jemi me njëri-tjetrin! Ju jam thellësisht mirënjohëse, që ofruat aq sa mundët, por shumë dashuri dhe solidaritet!
Pashë sy të përlotur, duar dhe mendje të pafuqishme, por më forcoi gatishmëria juaj për të ardhur në ndihmë, pa komente, pa mallkime dhe fyerje! Me zemër të madhe dhe krahë të hapur, qytetaria gjirokastrite dëshmoi edhe një herë, pa zhurmë, pa reklama e show, nga shtëpitë dhe dyqanet e veta, por me humanizëm dhe dashamirësi! Do ta kalojmë edhe këtë”, nënvizoi deputetja e PS, Artemis Malo.