Shtatori pritet të jetë i nxehtë jo vetëm për politikën, por edhe për drejtësinë. Parlamenti dhe qeveria e re shihen si dy zhvillimet më të forta këtë shtator, por surprizat pritet të vijnë nga Prokuroria e Posaçme.
Në korrik u dhanë sinjale se po shkohet te të korruptuarit, por pas një pauze në gusht për shkak të pushimeve, në shtator do të nisë reprezalja dhe këtë herë ndoshta dhe më lart. Prokuroria e Posaçme ka mbi 700 dosje në duar dhe një numër i madh i tyre janë dosje korrupsioni.
Më saktë, rreth 200 dosje kanë të bëjnë me korrupsionin në nivele zyrtarësh të lartë. Janë 50 procedime penale për shpërdorim detyre, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal.
Po ashtu në SPAK janë 5 procedime për fshehje apo mosdeklarim pasurie nga zyrtarë të lartë. Mes emrave është deputeti i PS, Ervin Bushati. Sa u takon tenderave, janë 50 dosje që po hetohen nga SPAK. Prokuroria Speciale ka në dorë 30 procedime penale për korrupsion të personave që kanë funksione publike. Ndërkohë 57 procedime janë për korrupsion pasiv të njerëzve të drejtësisë.
850 zyrtarë të kallëzuar nga KLSH
Abuzimet në zyrat shtetërore u kanë kushtuar shqiptarëve miliona euro dëm. Janë 850 zyrtarë që janë kallëzuar për abuzime me paratë e qytetarëve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, kur në krye të tij ishte Bujar Leskaj.
KLSH ka kryer kallëzime pothuajse në të gjithë sektorët që ajo mbulon dhe nuk ka kursyer kallëzimet as për ministra e as për kryebashkiakë. Sipas raporteve vjetore të KLSH, këta zyrtarë i kanë shkaktuar shtetit plot 3 miliardë euro dëme nga abuzimet me tenderat kryesisht.
Ajo që bie në sy është se Hipoteka dhe ALUIZNI janë sektorët më problematikë. Në total, për periudhën 2013 – 2017, nga auditimet është konstatuar: një dëm ekonomik në vlerën 2,404,434 mijë lekë, janë rekomanduar: 137 masa “largim nga puna”, 134 masa “vërejtje deri në largim nga puna”, si dhe janë kallëzuar penalisht: 196 punonjës dhe drejtues të ALUIZNI dhe ZVRPP.
Pak kohë më parë KLSH dhe SPAK firmosën një marrëveshje dhe shumë raste do kalojnë te SPAK për hetim. Kjo do të thotë se do kemi reprezalje në javët në vijim për abuzime me tenderat.
Emrat VIP që po hetohen
Mes emrave me dosje në prokurori është presidenti Ilir Meta. Padia është bërë nga juristi Romeo Kara, i cili ka dorëzuar një kallëzim për marrëveshjen CEZ-DIA. Juristi Kara në padinë që ka bërë në Prokurori, ka dorëzuar 300 faqe me informacion, ndërsa ka bërë një renditje të argumenteve të tij se përse kemi vepër penale.
Përveç padisë për aferën CEZ-DIA, një dosje e fortë është dhe ajo e privatizimit të Kompleksit Partizani, ku Berisha është paditur bashkë me dhëndrin e tij dhe ish-ministrin Arben Imami. Momentalisht në SPAK janë disa kryetarë bashkie të paditur penalisht.
E para që u padit është Miranda Rira, ish-kryebashkiake e Prrenjasit, paditur për shpërdorim detyre. Po për të njëjtën akuzë është paditur Xhelal Mizu, ish-kryebashkiaku i Kamzës dhe Juljana Mema, kryebashkiakja e Dimalit.
Ndërkohë duhet theksuar se ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami u dënua nga gjykata. Një dosje voluminoze është ajo e inceneratorëve, ku PD dhe LSI kanë paditur kryebashkiakun Veliaj dhe disa zyrtarë të tjerë. Po ashtu kemi dosjen e koncesioneve në shëndetësi ku i paditur është ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Një dosje e fortë është ajo e shembjes së teatrit ku janë paditur ministrja e Kulturës, kryebashkiaku i Tiranës, ish-ministri i Brendshëm.
Dosje të tjera të forta janë ato të hetimit për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ngelur në veting. Një padi e fortë është dhe ajo e koncesioneve të dhëna në shëndetësi gjatë kohës që ministër ishte Ilir Beqaj.