Banorë të Tetovës rrëfejnë zjarrin dhe shpërtimin e fuqishëm në spitalin ku trajtoheshin të sëmurët me koronavirus, i cili shkaktoi 14 viktima.
“Isha brenda në oborr, dëgjuam britma njerëzish, britma të mëdha, një tragjedi, pas 10 minutash erdhën zjarrfikëset”, tha një dëshmitar. “Me sy kur erdha pashe vetëm flaken, tymin..katastrofe ishte, ulërima të mëdha e pikëllim i madh”, tha një tjetër dëshmitar.
Një dëshmitar tjetër rrëfen se kishte ardhur me pushime. “Jam shumë i tronditur, nuk e di deri ku do të shkojë ky shtet, më vjen keq për njerëzit që jetojnë këtu. Në Norvegji kur ngrihet një objekt fillimisht vihet sistemi kundër zjarrit, ose montohet nga brenda apo jashtë, por këtu nuk di, ky është skandal”, tha një qytetar.
Spitali ku ishin shtruar të sëmurë me Covid u përfshi nga flakët mbrëmjen e së mërkurës. zjarrfikësit thonë se mbërritën në vendngjarje shumë shpejt, e priroritet padyshim t`i nxirrnin sa më shpejt pacientet prej andej, ndërsa thonë se nuk kanë dijeni nëse spitali kishte apo jo sistem kundër zjarrit.
“Ne mbërritëm për 4-5 minuta..thuhet që ka pasur një shpërthim nga bombolat e oksigjenit, por oksigjeni nuk është ndeze e i rrezikshëm, vetëm përforcues që zjarri të përhapet”, tha zjarrfikësi, Uka Aliti.
Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nuk u përgjigj nëse ka pasur lidhje shpërthimi me një incident të para dy javëve, kur ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit në këtë spital, por theksoi se hetimet do të tregojnë shkaqet e incidentit. Me rastin e kësaj fatkeqësie, ajo shpalli tre zije për komunën e Tetovës.