Ngjarje tronditëse ishte ajo e ndodhur mesditën e sotme në plazhin e Potamit, në Himarë, ku Arjan Tase përplasi për vdekje me skafin e tij një 7-vjeçare.
Tase u justifikua me faktin se skafi kishte pësuar një defekt gjatë kohës që ai ishte në det, dhe kishte humbur kontrollin, gjë që ishte bërë shkak për aksidentin. Megjithatë, dëshmitarët e shumtë në vendngjarje e hedhin poshtë këtë deklaratë.
Ata kanë thënë se gomonia është afruar në breg dhe ka bërë një manovër kthimi indietro dhe në këtë moment, helika ka goditur fëmijën, ndërsa drejtuesi nuk ka qenë aspak i vëmendshëm për të shmangur atë.
Pushuesit pretendojnë se nuk kanë parë një defekt në skaf. Sipas tyre, ai ka qenë në mjet gjatë gjithë kohës, në ndryshim nga rasti i ngjashëm në Jalë, ku pasi drejtuesi i një gomoneje përfundoi në det, mjeti vijoi të qarkullonte në ujë duke lënduar dhe një fëmijë. Në rastin e sotëm drejtuesi ka qenë ende në mjet dhe ka pasur edhe dy miqtë e tij, të cilët tashmë janë shoqëruar në polici për t’u marrë dëshminë.
Nga ana tjetër, sipas ligjit në fuqi për lëvizjen e mjeteve lundrues, Arjan Tase duhet t’i qëndronte larg bregut dhe nuk duhet t’i afrohej sepse nuk ka vend të miratuar për gomone apo skafe./m.j