Ndaj deputetit të Sali Berishës, Arjan Ndoja pritet të nisë një hetim për “pastrim parash” dhe “fshehje apo mos deklarim pasurie”. Me një vendim të gjyqtarit të GJKKO-së Erion Çela, SPAK urdhërohet që të nisë hetimet për deputetin, njëherazi ish-prokurorin e shkarkuar nga vettingu.
Por si përfundoi Ndoja në SPAK? Mësohet se që prej vitit 2023, ndaj tij kishte nisur një hetim pasuror.
Në kushtet kur Ndoja është bërë deputet, Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencën dhe i është drejtuar GJKKO-së të shprehet mbi këtë kërkesën për pushimi e hetimeve. Sot, gjyqtari Çela ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të kërkesës për pushimin e hetimeve nga prokuror noteri i SPAK Olsi Dado. Ai ka vendosur që të gjitha aktet e hetimit që ka kryer Prokuroria e Tiranës prej 2 vitesh, të kalojnë në SPAK. Ndërkohë që Prokurorinë e Posaçme e urdhëron që të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet për deputetin Ndoja.
Sipas gjykatës, subjektit të hetuar i ka ndryshuar statusi gjatë gjykimit, për këtë arsye është kompetencë e SPAK të hetojë Arjan Ndojën. Gjyqtari Çela ktheu aktet në SPAK dhe kërkon hetimin mbi dy vepra penale “pastrim parash” dhe “fshehje apo mos deklarim pasurie”.
Ndoja u shkarkua nga KPK në vitin 2022, por ai doli përfundimisht nga sistemi i drejtësisë më 22 prill të këtij viti. Ishte Ndoja që u tërhoq nga ankimi i tij në KPA, për shkak se u fut në listat e deputetëve në zgjedhjet e 11 majit.
Më 1 nëntor 2019 ndaj tij u bë nje atentat ku mbeti i plagosur së bashku me Aleksandër Lahon, ndërsa humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku.






