Janë ditët e para të janarit. Njerëzit në qytetin e vogël të Rrëshenit, kanë lënë pas ditët e festave dhe i janë kthyer rutinës së tyre të përditshme të punëve pa harruar edhe përshëndetjet e rastit që në këtë qytezë janë të pranishme kurdoherë.
E tillë duhet të ishte dita edhe për Kastriot Reçin, një pronar televizioni lokal, i cili nuk do ta mendonte se do të humbiste jetën pikërisht aty ku ai do të ndihej më i sigurt, vetëm pak metra larg biznesit të tij, në sheshin kryesor të qytetit, i qëlluar me një plumb pas shpine nga një snajper që po e priste prej kohësh në tarracën e një pallati që shikonte nga bizneset e tij.
Një atentat tipik mafioz ku vrasësi nuk mori parasysh as faktin që në prani të viktimës, ishte edhe një fëmijë me nënën e tij, por që ishte e vetmja mundësi për të eliminuar shënjestrën e atentatit që ruhej me masa të forta sigurie.
Dosja Hetimore
Më datë 07.01.2020 jemi njoftuar se në qytetin e Rrëshenit është vrarë me armë zjarri Kastriot Reçi. Pas marrjes së këtij njoftimi kemi shkuar në vendin e ngjarjes. Atje kemi fokusuar një njollë me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, ku me anë të një tamponi u mor kampion për ekzaminime laboratorike.
Pas këqyrjes së pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë në subjektin lokal “Filopati” u konstatua se viktima nuk është qëlluar nga një distancë e afërt dhe nuk shfaqet në afërsi të vendit asnjë person i dyshimtë.
Një nga personat e parë që shkoi në ndihmë të viktimës, ishte edhe vëllai i tij.
Ai që në fillim nuk kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur, ashtu sikur nuk e kishin kuptuar as personat që ndodheshin përreth, të cilët në fillim menduan se kishin të bënin me një sulm kardiak, por që në fakt do të rezultonte se ishte një sulm me armë.
Martin Reçi, vëllai i Kastriot Reçit
Në kohën kur ka ndodhur ngjarja isha në lokalin tim në qytetin e Rrëshenit duke pirë kafe.
Rreth orës 11:00 kam parë njerëz jashtë lokalit duke vrapuar. Pasi kam dalë kam parë vëllain tim Kastriotin të shtrirë në tokë. Menjëherë e kam dërguar në spitalin e Rrëshenit.
Vrasja e Kastriot Reçit vendosi në alarm Policinë e Shtetit, por tronditi edhe njëherë qytetin e vogël të Rrëshenit, tashmë të mësuar me ngjarje të tilla të rënda.
Ku ajo që do të ishte e qartë, ishte se në ndryshim me ekzekutimet e mëparshme, tanimë kishin të bënin me një atentat jo të zakonshëm në llojin e tij, ku vrasësit, në pamundësi për ta ndjekur nga pas viktimën e tyre, kjo, për shkak të masave të forta të sigurisë me të cilat ai ruhej, kishin zgjedhur ta eliminonin me anë të një skeme të mirëfilltë mafioze, e denjë për filma. Gjë që do të zbulohej shpejt nga kamerat e sigurisë në perimetrin ku ndodhi krimi.
Dosja Hetimore
Nisur nga pamjet filmike u krijua dyshimi se viktima mund të jetë qëlluar nga një armë snajper.
Pas kësaj u orientuan shërbimet në terren duke përcaktuar të gjitha objektet e larta në afërsi të vendit të ngjarjes. Më i mundshmi u përzgjodh pallati 9 katësh që ndodhet në një distancë 150 metra larg vendit të ngjarjes. Shkuam në pallatin që përmendëm dhe përkatësisht në katin e nëntë, apartamenti nr.28 u gjet me derë të jashtme të hapur, me dorezë të thyer dhe me çelës të vendosur nga jashtë.
Në apartament u gjet një çantë, si ato që përdoren për mbajtjen e armëve dhe brenda saj u gjetën dy tapa plastike, si ato që përdoren për mbulimin e shënjestrës optike dhe një copë kanotiere e grisur.’
Shpejt grupi hetimor gjeti edhe armën e krimit, një snajper i modifikuar, snajper që do të rezultonte i vjedhur në Kosovë.
Të paktën kështu rezultoi sipas dëshmisë së personit që e kishte pasur në posedim, në dëshminë që atij i ishte marrë nga prokuroria përmes letër porosisë.
Por ajo që do të befasonte grupin hetimor, do të ishte veshja e snajperistit, i cili për tu kamufluar kishte veshur një fustan dhe në kokë mbante një paruke, në dukje me një bisht pas koke.
Dosja hetimore
Gjatë këqyrjes së territorit, 10 metra larg pallatit u gjet një armë zjarri pushkë me ngjyrë të zezë, me silenciator të vendosur në tytë dhe shënjestër optike të vendosur në trupin e armës.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë rezultoi se rreth orës 06:35 nga ana lindore e lokal “Europa”, afrohet një automjet fuoristradë “Mercedez-
Benz”, në dukje ngjyrë gri, targat e së cilës nuk fiksohen. Makina ndalon tek hyrja e pallatit, ku nga dera e pasme e djathtë e saj zbret një person, në dukje mashkull i veshur me xhup ngjyrë të hapur, me kapele me strehë dhe me tuta ngjyrë të errët.
Pasi zbret nga mjeti, nxjerr nga bagazhi një çantë në formë gjatësore, si ato që përdoren për të mbajtur armë të gjata. Më pas merr një çantë tjetër nga sedilja e pasme e makinës dhe me dy çantat në dorë niset drejt hyrjes së pallatit. Më pas automjeti largohet në drejtim të rrugës së tregut.
Në orën 12:07 vërehet një person duke dalë me shpejtësi nga hyrja e pallatit, me flokë të gjata të lidhura bisht, në dukje paruke, me një fustan me ngjyrë të zezë dhe tuta poshtë fustanit. Ky person lëviz me shpejtësi në drejtim të rrugës që të çon tek tregu i fruta-perimeve.