Në një konferencë shtypi të përbashkët në Bruksel me komisionarin e zgjerimit evropian Johanes Hahn, kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria është duke u përgatitur për çeljen zyrtare të negociatave në qershorin që vjen.
Rama është pyetur edhe për marrëveshjen për kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Kur rezultatet të bëhen të qarta për të gjithë, kushdo që akuzon për tradhti nga të dy palët, do të turpërohet nga opinionin publik”, – tha kryeministri, duke iu referuar akuzave të opozitës për tradhti kombëtare në lidhje me një marrëveshje të mundshme të arritur me fqinjët jugorë.
Ai tha se hapat dhe përpjekjet janë të mëdha për ta nxitur edhe më tej agjendën e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Ky është një proces i pashmangshëm që do të nisë menjëherë. Na presim muaj shumë të rëndësishëm e të vështirë përpara që të jemi gati kur negociatat të nisin zyrtarisht. Do bëjmë gjithçka që na është kërkuar, – u shpreh Rama. – Çelja e negociatave është në interes të të gjitha palëve. Jemi të gatshëm për këtë proces, jemi të interesuar të vijojmë punën në drejtimin tonë. Për të gjitha hapat do ketë përpjekje të mëdha. Ju mirëpres në Tiranë, me ekipin tuaj, për ta nxitur edhe më tej axhendën e integrimit të Shqipërisë në BE, që është e rëndësishme për ne dhe për vetë Europën”, – iu drejtua Rama komisionarit Hahan.
Rama shpjegoi se është e rëndësishme që BE të mbështesë në çdo fomë zbatimin e reformave. “Ne nuk kemi humbur 12 muaj, por kemi 12 muaj në dispozicion për të qenë të përgatitur në momentin e çeljes formale të negociatave me gjithë atë produkt që vjen më pas. Procesi nuk nënkupton në asnjë moment, deri në anëtarësim, një lëvizje nga 5 prioritetet, por është një proces që shkon duke u thelluar”.
Nga ana e tij, Johanes Hahn nënvizoi se BE do vazhdojë të asistojë në zbatimin e reformave në Shqipëria dhe la të kuptojë se marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë për zgjidhjen e disa çështjeve është e rëndësishme.
“BE nuk do të pranojë vendet me konflikte për t’u anëtarësuar në bllokun tonë. BE nuk do të pranojë asnjë shtet që nuk ka zgjidhur mosmarrëveshjet me vendet fqinjve, si për shembull zgjidhja e emrit të Greqisë e Maqedonisë”.
Hahn po ashtu deklaroi së shpejti do të mbërrijë në Tiranë për të vijuar bashkëpunimin me palën shqiptare për çeljen e negociatave: “Do vazhdojmë përgatitjet për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Do bëjmë gjithçka për të vijuar me hapat e parashikuara për negociatat. Do takohemi sërish në Tiranë me Ramën. Do flasim edhe me qeverinë dhe me opozitën, sepse kemi një qëllim kombëtar të vlefshëm për gjithë shoqërinë. Është qëllim i përbashkët që na përket të gjithëve. Kemi zhvilluar një takim të frytshëm sa i përket bashkëpunimit tonë”./Shqip