Një ditë pasi dha dorëheqjen nga posti i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri, teksa nuk jep motive mbi largimin e tij, bën një përmbledhje të shkurtër të qëndrimit të tij prej dy vitesh në krye të këtij Institucioni.
Keri shprehet se ai ka ndryshuar “fytyrën” e Autoritetit të Aviacionit Civil, duke e shndërruar atë në një institucion të standarteve të BE. Keri flet me superlativa për punën e tij, i cili thotë se gjatë drejtimit të tij, Autoriteti i Aviacionit Civil “ka refuzuar certifikime kompanish kot e më kot”, e mbi të gjitha ka pasur fokus qytetarin, ndryshe nga sa kishte ndodhur më parë.
Në mbyllje, Keri i ka uruar suksese pasardhëses, Edlira Krajës, e ndërsa ka pasur edhe një falenderim për kryeministrit Edi Rama, bashkëpunëtorët dhe mbi të gjitha kundërshtarët, për të cilët thotë se “pa to nuk do ishte ky që është sot.
“Të nderuar miq, ka qenë një privilegj për mua të drejtoj Autoritetin e Aviacionit Civil për 2 vite. Mirënjohje për besimin Kryeministrit dhe stafit të tij, ku përgjatë këtyre dy viteve më dhanë mundësinë për ta shndërruar AAC në një institucion të standardit të BE. Ka qenë një eksperiencë ku janë certifikuar kompani të reja por edhe refuzuar certifikime kompanish kot e më kot, ku aeroporti jonë i vetëm për herë të parë filloi të operoi siç duhet dhe sipas ligjit, ku kompanitë ajrore kuptuan që shqiptarët nuk mund të lihen rrugëve në mënyrë të papërgjegjshme, ku për herë të parë u futën çmime biletash me kosto të ulët dhe ku për herë të parë vendi i punës së gjithësecilit kishte peshën specifike që jep ligji, autoritet! Jam i bindur që kolegia Kraja do të bëj një punë të mirë në vijimin e ndjekjes së prioriteteve të qeverisë. Ndërkohë bashkë dhe për aviacionin civil shqiptar shihemi tek Aviacioni.com, këtu në FB. Ps. Falenderime për bashkëpuntorët dhe më shumë falenderime për kundërshtarët, pa ju s’do të isha ky që jam. Respekte”, shkruan Keri.
Postimi i plotë i Krislen Kerit
Krislen Keri dha dorëheqjen një ditë më parë e ndërsa në vendin e tij është emëruar Edlira Kraja. Kraja më herët ka qenë specialiste në sektorin e Autoritetit të Aviacionit Civil.