Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është anatemuar nga opozita, e madje edhe nga Presidenti Ilir Meta i cili e cilësoi nul vendimin e këtij Kolegji dhe tha se dekreti i tij për anullimin e 30 qershorit vazhdon të jetë në fuqi duke kujtuar se ky dekret është botuar edhe në fletoren zyrtare.
Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor e përbërë nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj votuan 5-0 për lënien në fuqi të 30 qershorit.
Kjo trupë që vendosi dje, në fakt është zgjedhur që në dhjetor të 2016-ës kur në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë qendronte ish-Presidenti Bujar Nishani dhe ky organ kontrrollohej nga PD.
Vlen të thuhet se Astrit Kalaja, një nga më të vjetërit e Kolegjit, pjesë e tij edhe në lokalet e 2011-ës ka marrë vendimin pro kreut të PD asokohe kandidat për Bashkinë e Tiranës.
Kalaja i dha të drejtë Bashës në betejën e tij me kryeministrin Rama, asokohe kryetar Bashkie, për 10 votat e famshme, që kanë mbetur edhe sot në historinë e zgjedhjeve.
Sigurisht, PD e njeh mirë këtë figurë që i dhuroi si në “pjatë të argjendtë” qeverisjen e Bashkisë së Tiranës por megjithatë kjo nuk e pengon që sot ta sulmojë e ta cilësojë Kolegjin si organ të PS.