Një përgjigje negative e testit të COVID-19 nuk do të thotë se nuk jemi të infektuar, pasi asnjë test nuk është tërësisht i saktë në 100% të rasteve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë disa sqarime për qytetarët, duke i ftuar të jenë të kujdesshëm dhe të mos vetëkënaqen nga një rezultat negativ i testit që kanë bërë kur kanë dyshime për koronavirusin.
“Ju mund të infektoheni pasi keni bërë testin. Një përgjigje negative e testit #COVID19 nuk na bën të paprekshëm!
Asnjë test nuk është tërësisht i saktë në 100% të rasteve Testet mund të mos i zbulojnë infeksionet që janë ende në fazën e inkubacionit. Ju mund të infektoheni pasi keni bërë testin”, thekson OBSH.
Gjithashtu, theksohet se përpara se të kërkoni një test, është e rëndësishme të dini saktësisht se çfarë lloj testi ju nevojitet.
RT-PCR dhe testet e antigjenit ju tregojnë nëse e keni virusin TANI. Testet e antitrupave ju tregojnë nëse keni pasur virus NË TË SHKUARËN.