Pas Kroacisë, situata vijon të jetë e vështirë meteorologjike në disa qytete të Bosnjës dhe Hercegovinës. Temperaturat e ulëta dhe reshjet e shtuara të borës në disa zona kanë krijuar një atmosferë të plotë dimërore.
Sasia e papritur e reshjeve të borës i lejoi shumë vizitorëve ta shfrytëzonin këtë ditë pushimi për të bërë ski në Bjelasnica, ku temperatura shënoi -7 gradë Celsius.
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ka pasur përmbytje dhe dalje të lumenjve nga shtrati në Bosnjën veriore dhe atë veriperëndimore.
Në lindje të Kroacisë është regjistruar sasi e madhe bore. Lartësia e borës në disa zona shkon mbi 150 centimetra. Rrugët drejt pjesëve malore janë të mbyllura për lëvizjen e automjeteve.
Në Zagreb vijon puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia, por ende ka panik në radhët e qytetarëve se kushtet e motit mund të përkeqësohen sërish. Pasojat e stuhisë janë të dukshme në çdo hap në kryeqytetin kroat.
Për shkak të reshjeve intensive të shiut dhe rritjes së nivelit të ujit, në disa pjesë të Serbisë janë regjistruar përmbytje.
Fundjava solli reshje të rrëmbyeshme shiu në veri të Malit të Zi. Pati ndërprerje në furnizimin me energji elektrike, rrugë të bllokuara dhe vështirësi në lëvizje. Megjithatë, bora i bëri të lumtur pronarët e restoranteve në qendrën turistike dimërore Kolashin, e cila zyrtarisht e kishte përfunduar sezonin më 15 mars.
Vendpushimet e skive janë rihapur për admiruesit e dëborës jo vetëm nga Mali i Zi, por edhe nga shtetet e tjera të rajonit. Kushtet e favorshme të motit dhe dëbora që vijon të bjerë në këto zona malore kanë lejuar që të vijojnë aktivitetet dimërore.




