Në një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News, Lefter Koka tha se mandati që ai ka marrë në Durrës është mëse i merituar, ndërsa shprehet se Ilir Meta s’është larguar nga LSI, pavarësisht se është president.
“Meta nuk është larguar kurrë nga LSI. Edhe Berishën e ri dhe të vjetër e kam parë, shoh edhe Metën që interpreton Berishën, por përveçse më kanë dhënë forcë më kanë bërë të punoj më shumë në këto zgjedhje.
Në Durrës mandati im është i merituar, nuk ka rikthim mbrapa LSI do të shkojë drejt normalitetit të saj”, tha Lefter Koka.
I pyetur se si është ndjerë në momentin që presidenti i ka përmendur vëllain apo edhe djalin, gjatë sulmeve të tij politike, Koka u shpreh se:
“Meta ka marrëdhënie personale me tim vëlla dhe nuk e kuptoj se si në një ditë është me të dhe në një ditë kundër tij.
Me tim bir s’jam ndjerë mirë. Të shohësh edhe një fëmijë si kundërshtar dhe ta kundërshtosh si armik është e pahijshme.
Kam ndenjur me presidentin dhe s’do ta mendoja kurrë që t’i përmendja fëmijët”.
Deklarata e Metës për djalin e Lefter Kokës
“Dy banda të njohura Vangjush Dako që ble vota, Ard Çela i OSHEE-së që ble vota, dhe i treti që duhet të kishte qenë në burg është Lefter Koka, por SPAK-u nuk ka pasur shumë kohë.
Me djalin e tij edhe me bandën e tij që terrorizojnë vajzat, gratë, edhe të gjithë njerëzit e ndershëm të Durrësit që të mos votojnë për LSI-së që e bëri ministër atë, edhe këta ndenjën 8 vite pa punë kur ai ishte ministër, edhe mbajtën mbi supe të gjithë baltën e korrupsionit të Lefter Kokës dhe rrugaçërive të djalit të tij.
Që del edhe me pistoletë pa leje edhe vete shtëpi më shpi, bashkë me policë dhe persona në kërkim, e të liruar nga burgu për të blerë vota me porosi të Edi Ramës”