Kryeministri Eii Rama, ka nisur sot serinë e përgjigjes ndaj komenteve në rrjetet sociale, që do të zhvillohet me lidhje live çdo të martë dhe të enjte në orën 08:30.
Gjatë kësaj serie të parë kreu i qeverisë shqiptare ka marrë një për një të gjitha komentet dhe të gjitha problemet që shqetësojnë shqiptarët dhe vërejtjet që ata kanë ndaj qeverisjes së kabinetit të tij.
Fillimisht ai u bëri thirrje shqiptarëve nëpër botë që të regjistrohen për zgjedhjet e 11 Majit, ndërsa më tej vijoi duke kthyer përgjigje lidhur me shtetin Bektashi.
Ndërsa njëri prej qytetarëve e akuzon se po copëton Shqipërinë me shtetin bektashi, kryeministri solli në vëmendje Italinë.
“Votën time e humbe se propozove shtetin bektashi dhe do të copëtosh shtetin shqiptar”, thotë një komentues.
“Kam pas shumë ankesa për atë Sy m’sy”, pse s’u përgjigjesh ankesave. Jo mor xhan si do copëtohet shteti shqiptar kaq kollaj me një të rënë të lapsit, po kjo nuk bën vaki. Pse shteti italian i copëtuar të duket që ka jo një, por dy struktura brenda, të cilat kanë një sovranitet të caktuar aty.
Ndërkohë që në rastin tonë nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një shtet siç e mendoni ju gabimisht. Nuk bëhet fjalë për gjëra të kësaj natyre, bëhet fjalë për entitet që nuk ka dogana, taksa, polici. Në të gjitha aspektet i përgjigjet Kushtetutës së Shqipërisë”, tha Rama.
Më tej Rama u ndal te procesi i legalizimit për të cilin tha se është duke vijuar dhe se qindra e mijëra shqiptarë kanë sot tapitë e banesave të tyre.
“Qindra mijëra familje sot janë pronarë me tapi të ndërtimit të bërë me shumë sakrifica kohë më parë, natyrisht nuk janë të gjithë që janë të legalizuara, procesi vazhdon edhe tani që flasim se ndërkohë për një periudhë të gjatë kohe kanë vazhduar edhe ndërtimet, nuk kemi mbetur te ata që ishin atëherë, nga ana tjetër ka disa kërkesa procesi”, tha ai.
Nuk la pa përmendur as shëndetësinë në vendin tonë për të cilën tha se është si “nata me ditë”. Madje kreu i qeverisë theksoi se dhe ai vetë i besoi mjekëve shqiptarë në spitalet e vendit tonë dy herë kur dhe iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale.
“Për shëndetësinë flas, patjetër flas, e mjafton që të shkosh në qendrën spitalore Nënë Tereza por edhe në spitale të tjera, që nga Shkodra në Vlorë, Elbasan, Fier, Durrës dhe të shikosh se çfarë transformimi rrënjësor është bërë.
Më vjen shumë keq që shumëkush fatmirësisht dhe mos e pastë nevojën për të pasur nevojën në spital ,vazhdon kujton spitalet e kohës rrumpallës dhe vazhdon i bie të njëjtës daulle ndërkohë që ndryshimi është i pakrahasueshëm.
Aq e vërtetë është kjo sa unë personalisht dy herë janë operuar në spitalin e sëmundjeve të brendshme këtu në Tiranë dhe po iu them nuk ka asnjë ndryshoi, jo në rastin tim, por edhe te pacientët e tjera, nga ajo që ka jashtë. Kjo nuk do të thotë që nuk ka probleme dhe gjëra për të rregulluara, e në raste të caktuara nuk ka probleme të korrupsionit”, tha kreu i qeverisë.