Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në emisionin Opinion se do të padiste për shpifje ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Deklarata e Ramës erdhi pasi, Haradinaj e akuzoi se ishte pjesë e një pazari të ndarjes së Kosovës me Presidentin e Kosovës, Thaçi dhe Presidentin e Serbisë, Vuçiç.
Pas paralajmërimit të Ramës, ka ardhur dhe reagimi i Haradinajt i cili u shpreh se nuk e kishte ndjekur deklaratën e Ramës, por ishte njohur me disa lajme nëpër portale.
Haradinaj është treguar i përmbajtshim në reagimin e tij, duke thënë se nuk ka asnjë koment për deklaratën e Ramës, por theksoi se qëndrimi i tij kundër ndarjes së Kosovës është legjitim.
“Sot kam parë disa tituj të portaleve në Kosovë. Por se kam përcjell direkt intervistën e tij. E kam shprehur qëndrimin tim në lidhje me refuzimin dhe kundërshtimin e territoreve, që ka qenë një maskim për ndarjen e Kosovës.
Ajo do kishte pasoja të mëdha për planin politik të Kosovës dhe humbje të madhe për të. Rezervat më të mëdha në Europë gjendjen në Trepçë. Këto kanë qenë vendim legjitim i imi. Skam koment për deklarata të tjera. Ai ka të drejtat e veta, ia respektoj.
Unë i kam mbajtur ato qëndrime legjitime. Për Atdheun para se gjithash. S’dua të kaloj në qasje të tjera. I kam vëllezër kudo që janë shqiptarët. Detyrën time në mbrojtje të Kosovës, kjo është tokë e shqiptarëve, e të gjithë neve.
Qëndrimi im kundër ndarjes është legjitim. I respektoj të gjitha të drejtat e kryeministrit, apo dhe të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Haradinaj.
Çfarë tha Rama në Opinion
Për 10 miliardshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të anti-shpifjes. Në gjykatat e Kosovës zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe Presidentit të Serbisë.
Por një gjë ditë të them unë, këtyre lloj politikanëve bravo u qoftë që gjejnë dhe bëjnë i them unë… Dmth që ti thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do të ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën dhe të marrësh akoma vota… Ata që votojnë për këtë lloj politike ato qofshin dhe bravo u qoftë!