Botuesi Mero Baze i cili është shumë afër me detajet e mbrojtjes së Veliajt thotë se dy prokurorët e çështjes po kërcënojnë rrethin e tij shoqëror dhe pjesën e shtypit që i ka dalë në mbrojtje kreut të burgosur të Bashkisë së Tiranës.
‘Ata nuk kanë bërë asnjë kujdes të sillen si prokurorë, por si dy njerëz që kanë në dorë jetën e tij dhe nuk lënë rast pa treguar se janë gati ta shkatërrojnë atë fizikisht, familjarisht, madje dhe më thellë, rrethin e tij shoqëror” – thotë Baze.
“Dhe kjo jo vetëm në seancat e ballafaqimit me Veliajn ku sillen si dy njerëz të xhindosur, por edhe në sjelljet në zyrat e SPAK gjatë hetimeve me dëshmitarë të tjerë” – shton ai.
Burime afër mbrojtjes së Veliajt folën dje për një biznesmen të përfshirë në hetime, i cili ka dëshmuar se prokurori Dado i ka thënë se do ta kalb në burg dhe se nuk do ti ndahet gjithë jetën
Baze, i cili e njeh biznesmenin në fjalë, e konfirmon, madje shton se nuk është rast i vetëm:
“Gjithë të thirrurit për hetime, pas përballjeve të Veliaj me ta, janë ndeshur në zyrat e SPAK me prokurorë të bërë bishë, që i kërcënojnë se po nuk thanë ato që duan ata, do t’i kalbin në burg, nuk do t’i ndahen gjithë jetën e broçkulla të tjera, sikur të jenë djemtë e Aranit Çelës dhe jo prokurorët e vitit 2025” – shkruan ai.
Por sa do vazhdojë kjo sjellje që ka shkaktuar shumë habi, por edhe heshtje, për shkak se shumica e krerëve të institucioneve mbi SPAK kanë frikë nga përgjimet e tyre.
Për Bazen “ata do të vazhdojnë ta ruajnë këtë epërsi mbi përdhunimin e lirive të një të burgosuri politik si Veliaj derisa të fillojnë proceset gjyqësore dhe beteja e tij të jetë edhe ligjërisht një betejë publike.
Pastaj ata do të kuptojnë se me shkeljet e rënda që kanë bërë dhe po vazhdojnë të bëjnë, me përpjekjen për të dhunuar dëshmitarët dhe për të përfolur shtypin që mbështet Veliajn, dhe akoma më shumë me zbythjen që kanë nga përdhunimi që u ka bërë Sali Berisha, duke mos respektuar asnjë standard izolimi si i burgosuri shtëpiak prej tyre, ata do të kthehen pas ca kohësh në një karikaturë të drejtësisë shqiptare” – shkruan ai.