Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale që dënohet nga 5 deri në 20 vite burg në Shqipëri. Por ndonëse çdo verë flakët kanë shkrumbuar me mijëra hektarë pyje dhe kullota, të dhënat e përpunuara nga Faktoje tregojnë se pandëshkueshmëria ka ‘thyer’ ligjin.
Në 10 vitet e fundit janë regjistruar 225 procedime penale për shkatërrimin e pyjeve me zjarr, por pas hekurave kanë përfunduar vetëm 3 piromanë. Nga bilanci i dekadës së fundit sipërfaqja e djegur në pyje dhe kullota rezulton 162 mijë hektarë.
Edhe këtë verë vendi po përballet me zjarre të shumta nga veriu në jug. Ndonëse zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale që dënohet nga 5 deri në 20 vite burg, të dhënat e përpunuara nga Faktoje mbi krimet mjedisore tregojnë se zbatueshmëria e ligjit çalon duke i lënë vend pandëshkueshmërisë.
Në dhjetë vitet e fundit krimi ndaj mjedisit është rritur ndjeshëm, por ndëshkimi mungon. Këtë fakt e ka vënë në dukje edhe kryeministri Edi Rama. Por ai, pandëshkueshmërinë ia faturon sistemit të drejtësisë.
“Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe në tasin e kësaj fare të keqe prokurorësh pa atdhe, ka deri edhe disa syresh që gjatë viteve të shkuara kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrvënësit.” – Edi Rama, korrik 2023.