Gentian Toshkëzi, doktori myzeqar i cili është shpallur doktori më i mirë në Amerikë ka qenë i ftuar në podcastin e kryeministrit Edi Rama.
Kam mbaruar me të gjitha 10-a dhe medalje ari në mjekësi. Toshkëzi tregon si iu refuzua bursa, më pas letra e profesorit që e nxiti të shkonte në Parisin e panjohur për të me një valixhe. Më pas udhëtimi drejt Amerikës ku dhe fitoi çmimin “Amerikan best doctor”
Pjesë nga podcasti
Edi Rama: Kur e more medaljen nga presidenti Mejdani?
Gentian Toshkëzi: Në vitin 2000. Kur kam mbaruar shkollën në mjekësi. Në gjimnaz kam pasur dy 9-ta, fizkultura dhe ushtarakja dhe megjithëse kisha një çmim në olimpiadë kimie, nuk e kisha mundësinë të merrja medaljen në shkollën e mesme, kështu që në një farë mënyre, e plotësova në shkollën e lartë, në Fakultetin e Mjekësisë.
Edi Rama: E mbarove mjekësinë me të gjitha 10-a?
Gentian Toshkëzi: Kam mbaruar me të gjitha 10-a.
Edi Rama: Këtu?
Gentian Toshkëzi: Në Tiranë, po.
Edi Rama: Pastaj?
Gentian Toshkëzi: Pastaj, atë vit doli një urdhër nga ministria që ne duhet të fillonim të punonim si mjekë të përgjithshëm për një vit, përpara se të fillonim specializimin. Jam rikthyer në Lushnje, kam punuar në Savër. Në një nga fshatrat e Lushnjës, që është afër. Ishte një eksperiencë e bukur, ndryshe për mua.
Filloja si mjek i ri dhe përballesha me mjekësinë e përgjithshme, me pacientët. Pas një viti, konkurrova dhe u futa në specializim në neurokirurgji. Më ka ndihmuar mjaft, sepse isha medalja e artë dhe ato pikët e sistemit të konkurrimit, bënë që të merrja një degë që ishte pak e rrallë në Shqipëri.
Ishte një degë që akoma nuk kishte nisur një specializim të mirëfilltë për specializantët, por kishte kërkesë. Aty mu fut dhe pasioni, gjatë shkollës e kisha dëshirë kirurgjinë, por nuk e mendoja kurrë neurokirurgjinë si degë. Duke punuar në neurokirurgji atëherë, aplikova për një bursë të Kolegjit të Mjekësisë në Francë. Unë flisja frëngjisht. Kisha mësuar italishten.
Kisha qenë një vit në Itali gjatë shkollës së mesme duke bërë punë për të fituar disa para, prindërit ishin në pension dhe bursa nuk u aprovua. Nuk isha shumë i lumtur sepse qëndroja këtu, por pa qenë mirëfilli i trajnuar në neurokirurgji pasi nuk kishte një shkollë të mirëfilltë dhe pas disa muajsh vjen një letër nga profesor Rei në Paris, i cili kishte parë aplikimin tim dhe që më ishte refuzuar bursa dhe i kishte shkruar një letër dekanit, i cili në atë kohë ishte ndërruar dhe sekretarja e kishte marrë letrën, e kishte hapur dhe më merr në telefon.
Më thotë, ka një letër në frëngjisht, nuk e di çfarë thotë, por është emri juaj. Shkoj me vrap lexoj që ai shkruante, më vjen keq që doktor Toshkëzit i është refuzuar bursa, por unë kam mundësi që ta pranoj në shërbimin tim, kundrejt një pagese si specializant dhe për mua ishte gjë shumë e mirë, shumë e bukur dhe nisem në Paris pa ditur asgjë nga Parisi, me një valixhe.
Mbaj mend që ka qenë një specializant atëherë, në anestezi, shqiptar i cili më ka pritur tek aeroporti. I kam thënë, si më njohe se s’kishim as mundësi telefonash apo interneti siç i kemi sot dhe më thotë të kam njohur nga valixhja shqiptare.
Edi Rama: Dhe pastaj në fund të këtij specializimi apo kësaj periudhe, gjendeshe në mes të Shqipërisë dhe Amerikës. Oqeani andej, Shqipëria këtej.
Gentian Toshkëzi: Kisha ato mëdyshjet. Në Paris pata një eksperiencë të shkëlqyer sepse aty mësova mjekësinë moderne, bashkëkohore, neurokirurgjinë e mirëfilltë nga profesorët e mi atje. Unë kam shkuar me shumë modesti sepse mbaj mend ditën e parë kur profesori më ka pyetur çfarë di të bësh dhe me naivitetin e kohës i kam thënë unë vij nga një vend i vogël, por kam dëshirë të madhe të mësoj dhe të mësoj sa të mundem neurokirurgji pa i dhënë asgjë që unë di të bëj shumë gjëra.
Kam parë të nesërmen, jam futur në një operacion shumë të gjatë, që për mua ishte dhe gjë shumë e bukur, por përgjegjësi e madhe dhe aty kuptova që ata më dhanë dorën dhe fillova të mësoja dhe kisha atë dëshirën që të mësoja çdo gjë.
Isha në mëdyshje për tu kthyer në Shqipëri. Kur kam shkuar kam menduar gjithmonë që do kthehem në Shqipëri, por gjatë qëndrimit atje, kishte interferenca apo shtysa dhe nga francezët, nga kolegët e mi, për sistemin amerikan, për standardin që ishte atje dhe fillova ta mendoja si ide.
Shkuarja në Amerikë ka qenë shtysë e kolegëve të mi duke parë që kisha dhe mundësi që ndoshta të bëja dhe një eksperiencë atje, por ka qenë një histori e bukur për mua sepse lidhet edhe rastësore, do të thosha. Prindërit e mi në atë kohë ishin në Amerikë, te motra ime…
Edi Rama: Si ishte procesi i kalimit nga specializanti që është diçka midis studentit dhe profesionistit të besuar krejtësisht në Amerikë?
Gentian Toshkëzi: Në Amerikë, ti nuk pranohesh kollaj, që të vish as nga Franca, as nga Shqipëria as nga një vend i Europës pa dhënë ato standardet dhe provimet dhe pa kaluar në procesin e rivlerësimit dhe pa ribërë edhe një herë specializimin.
Edi Rama: Madje edhe për studentët amerikanë është një kohë e gjatë derisa arrijnë të marrin në dorë sallën e operacionit.
Gentian Toshkëzi: Absolutisht! Është një proces i gjatë për amerikanët vetë, por duke qenë i huaj ti nuk ke favoret që kanë amerikanët sepse ti vjen nga një vend që nuk njihet, nga një shkollë që nuk njihet dhe ti duhet të provosh që mund t’i arrish ato standarde dhe kalon në një filtër goxha konkurrues me vendasit dhe nga e gjithë bota.
Edi Rama: Sa zgjati procesi nga arritja në Amerikë deri në momentin kur ti veshe bluzën dhe ishe ‘’The Doctor’’?
Gentian Toshkëzi: Që kam qenë primar, doktor kirurg primar, është një proces që ka qenë 13 vjet.
Edi Rama: Nga krahasimi normal, krejt i natyrshëm që i ke bërë asaj që ke mësuar në universitet këtu dhe asaj që pastaj ke mësuar deri kur ke veshur përparësen dhe nuk ke pasur më njeri që duhet të të jepte aprovimin për të ushtruar profesionin, çfarë vlerësimi i jep shkollës këtu?
Gentian Toshkëzi: Shkolla jonë është shkollë shumë e mirë. Shkollë e fortë. Unë akoma ruaj një respekt shumë të madh për të gjithë pedagogët e mi, të cilët kanë qenë për mua heronj sepse mësonim në kushte jo të lehta. Në atë kohë, nuk kishim këtë lloj aksesi që është sot. Në internet mund të gjesh çdo gjë. Ne ishim vetëm me libra, me atlaset e vjetra që mungonin dhe faqe dhe përpiqeshim të shkruanim apo zëvendësonim ato fletë, por mendoj që ata kanë pasur një pasion kaq të madh për mësimdhënien duke na dhënë mundësinë që të ballafaqohemi kaq denjësisht dhe kaq në mënyrë të barabartë me gjithë botën, në standardet më të larta pavarësisht asaj që ne ishim të intimiduar dhe ndoshta nuk e njihnim botën. E dinim shumë herë më lart dhe shumë herë më të suksesshme, por kjo dhe na joshte a mundemi ne ta përballojmë dhe kjo ishte një nga ato joshjet.
Edi Rama: Prej sa vitesh tani je në Amerikë?
Gentian Toshkëzi: 18 vjet.
Edi Rama: Vjen shpesh në Shqipëri?
Gentian Toshkëzi: Vij, po. Çdo vit.
Edi Rama: Vjen në periudhën e verës?
Gentian Toshkëzi: Kam ardhur në pranverë, në verë, në vjeshtë.
Edi Rama: Vjen dhe dy herë në vit?
Gentian Toshkëzi: Këtë vit kam ardhur 2 herë në vit.
Edi Rama: Po pse vjen kaq shpesh?
Gentian Toshkëzi: Shqipëria është gjithmonë në zemër. Asnjëherë, në asnjë moment nuk ka qenë larg meje edhe në momentet më të vështira kur kam qenë shumë poshtë moralisht, apo shpirtërisht, apo nga ana financiare, gjithnjë kam pasur në mendje, në zemër, është ai vendi ku ti je lindur dhe rritur, por të mungon. Ne kemi atë shprehjen që në Amerikë i gjen të gjitha, por nuk gjen vendin tënd dhe në momente të vështira, ka qenë kjo pjesë e Shqipërisë, kultura shqiptare, muzika shqiptare, filmat shqiptarë që na jepte një farë shtyse apo na motivonte që jeta vazhdonte dhe jeta ka qenë e bukur.