Prej disa ditësh banorët e fshatit Tragjas në Vlorë, janë shprehur kundër ndërtimit të ujësjellësit të ri, që do të furnizojë gjithë zonën me ujë dhe nevojat që ka bujqësia apo industria e turizmit. Ka qenë Kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar të pakuptimtë protestën e banorve dhe është shprehur se projektet nuk mund të ndalen, aq më pak kur investimet e bëra sipas një studimi të mirëfilltë nuk do pengojnë furnizimin me ujë të pishëm zonën apo dhe nevojat e banorve përreth.
Në media është publikuar dhe një dokument i plotë për projektin e ujësjellësit të Tragjasit. Sipas dokumentit të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, vetë burimi i ujit nga viti 2018 deri në vitin 2022 është rritur nga 740 litra në sekondë në 870 litra në sekondë. Analizat konkrete kundërshtojnë atë çfarë u është thënë banorëve deri më tani, që uji i burimit është në rënie.
Sipas dokumentit, prurjet janë të mjaftueshme për të mbuluar fshatin Tragjasë nga 2 orë në 24 orë, nevojat bujqësore të të gjithë zonës dhe nevojat e industrisë së turizmit në këtë krahinë. Në dokument thuhet: “Theksojmë se diferenca e prurjes minimale prej 700 – 430 = 270 litra/sekondë është e mjaftueshme për të ruajtur mjedisin përreth si prurje ekologjike por gjithashtu edhe për t’u përdorur për vaditjen e tokave bujqësore të fshatit Tragjasë.”
Dokumenti zyrtar është gjithashtu shumë i qartë edhe për qëndrimin e oponencës së Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, i cili rekomandon: “Në rast se prurja mund të ulet, përparësi duhet ti jepet kaplazhit që përdoret aktualisht për furnizimin me ujë të fshatit Tragjasë dhe Rradhimë që furnizohen duke shfrytëzuar burimin e Izvorit.” Projekti i ujësjellësit jo vetëm që parashikon prurjet dhe sasitë që do të përdoren por edhe paracakton prioritet në rastet e situatave emergjente ku prurjet e burimit ulen.
Pas sqarimit të situatës nga ana e Kryeministrit, u shoqërua edhe me nxjerrjen nga sirtarët të këtij dokumenti që tregon sesi do të zbatohet ndërtimi por edhe implementimi praktik pasi të ndërtohet. Në këtë formë banorët e fshatrave informohen edhe zyrtarisht për shqetësimin e paraqitur prej tyre mbi të cilin individë të caktuar kanë ngritur dhe organizuar protestat.