Duke shfrytëzuar një hapësirë ligjore që e lejon të kryejë përgjime ambientale pa miratimin e gjykatës, SPAK ka futur në përgjim, duke i rrethuar me çimka, si gjyqtarë, prokurorë, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, avokatë dhe politikanë, në kuadër të procedimeve penale reale, por edhe të diskutueshme si me rastin e Nesti Angonit. Përgjimet e urdhëruara nga prokurorët e SPAK pa miratim nga gjykata bazohen në pikën 8 të nenit 222 të Kodit të Procedurës Penale.
Një burim pranë BKH, i cili na tregoi të shikonim edhe disa autorizime të prokurorëve të SPAK-ut për përgjime, tha se përgjimit dhe survejimit nuk i kanë shpëtuar as krerët e institucioneve të drejtësisë.
Kreu i ILD, Artur Metani, përgjegjës për procedimin disiplinorë të prokurorëve dhe gjyqtarëve, i kritikuar për neglizhencë të rëndë në detyrë, rezulton një nga njerëzit e drejtësisë më të përgjuar nga SPAK-u, në ambiente private dhe publike. Përgjimi i Metanit është në konflikt interesi, pasi kreu i ILD, sipas ligjit, kontrollon veprimtarinë e prokurorëve të SPAK në raport me ligjin, duke propozuar masa disiplinore.
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Gent Ibrahimi, në kuadër të një procedimi penal bazuar në thashetheme, rezulton se është vënë nën përgjim nga SPAK, me autorizim të një prokurori, pa miratim nga gjykata. Për përgjimin e Gent Ibrahimit është ngarkuar hetuesi i BKH A. Z, i cili e ka ndjekur z. Ibrahimi këmba këmbës me çimka dhe pajisje përgjimi në distancë. A. Z., me autorizim të prokurorit, ka përgjuar edhe kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçajn dhe Ylli Manjanin, avokat i Pëllumb Gjokës. Madje A. Z., në bashkëpunim me Operacionalen janë kamufluar edhe në Palasë dhe Rolling Hills duke monitoruar disa vila, që ata dyshonin se u përkisnin personave nën përgjim.
Bashkë me Ibrahimin, Manjanin dhe Zaçajn janë përgjuar edhe një grup personash të tjerë, nën dyshimet se janë paguar nga grupet kriminale për të rrëzuar komunikimet në Sky Ecc që të përdoren si prova nga SPAK, sidomos nga Pëllumb Gjoka, i arrestuar nga SPAK dhe i akuzuar për vrasje, grup kriminal, pastrim parash etj. SPAK dyshon se Pëllumb Gjoka është investuar për të diktuar në favor të tij arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për bisedat në Sky Ecc, me qëllim për t’i shpëtuar drejtësisë. Kushtetuesja e ka rrëzuar padinë e Pëllumb Gjokës, por arsyetimi i gjykatës besohet se është vendimtar për figurat e krimit që u fundosën nga Sky Ecc.
Rezulton se është përgjuar edhe gjyqtarja e Apelit të GJKKO, Iliriana Olldashi, e cila liroi nga burgu dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezin si dhe dha dorëheqjen nga shqyrtimi i masës së sigurisë për Erion Veliajn, duke pretenduar se është sëmurë. Është përgjuar edhe gjyqtarja e GJKKO Fjoredha Davidhi, e cila do të vendosë kalimin për gjykim ose jo të dosjes së Sali Berishës për ish Klubin Partizani. Davidhi është përgjuar nën dyshimet se mund të ndikohet nga njerëz pranë Berishës për të rrëzuar dosjen, çka do të ishte një goditje e rëndë për SPAK-un.
Gjithashtu janë përgjuar pa miratimin e gjyjatës gjyqtarët Atalanta Zeqiraj dhe Erjon Bani. Prokurorë të SPAK kanë autorizuar edhe përgjimin e anëtares së Gjykatës së Lartë A.A. Një burim në BKH na tregoi të shikonim disa autorizime për përgjimin e disa anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në kuadër të një procedimi për lëvizje paralele, komandime dhe emërime në prokurori nën ndikime të paligjshme. Në letra KLP është një organ mbi SPAK-un, ndërsa në realitet KLP është shndërruar në një seksion të SPAK-ut.
Janë përgjuar një numër i lartë politikanësh me ose pa mandat deputeti. Madje përgjimi i disa deputetëve reflektohet edhe në dosjet e SPAK-ut.
Janë përgjuar një numër i lartë politikanësh me ose pa mandat deputeti. Madje përgjimi i disa deputetëve reflektohet edhe në dosjet e SPAK-ut.
Është ngarkuar për përgjime dhe veprime arbitrare edhe hetuesi i BKH-së S. G., nga Libofsha e Fierit, ish avokat në Libofshë, me teser PD-je dhe ish jurist në Spitalin e Fierit, i denoncuar për sjellje maniakale dhe ngacmim seksual të pacienteve në Spital. Sipas një burimi në BKH, S. G është pjesë e grupit të prokurorit Ols Dado, i emëruar në mënyrë të paligjshme dhe me dokumente false prokuror në vitin 2008 nga Ina Rama, pasi nuk plotësonte kriteret e parashikuara në nenet 17 dhe 18 të ligjit për prokurorinë në atë kohë.
Duke keqpërdorur pikën 8 të nenit 222 të Kodit të Procedurës Penale, Dado ka firmosur disa autorizime për përgjime abuzive, kontrolle në rafte grash, komunikime të papërshtatshme me gra dhe vajza, si dhe aksesimin e materialeve video e foto në telefonat e sekustruar, me qëllim për t’i shantazhuar dhe duke u kërkuar që të takonin Ols Dadon nëpër skuta dhe jashtë vendit, sidomos në Greqi. Sipas këtij burimi, i cili një ditë do të rrëfehet publikisht për pisllëqet që bëhen në emër të ligjit, Ols Dado lëshon çdo ditë hetuesin S. G., si pirat, për të sekustruar telefona dhe për t’u telefonuar shenjestrave të Dados edhe gjatë të dielave dhe darkave.
Shumëkush mund të jetë çuditur një javë më parë kur kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha se “.…trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë. Shkresa është dërguar zyrtarisht ditën e mërkurë, datë 19 shkurt. Ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ai institucion“.
Dhe më kot pret zonja Zaçaj pasi Dumani nuk ka lajthitur që të pranojë se SPAK ka përgjuar atë dhe anëtarët e tjerë të Kushtetueses. Së pari, nëse një anëtar i Kushtetueses është i dyshuar për një vepër penale, SPAK nuk t’a lajmërojë me shkresë zyrtare se po e përgjon. Së dyti, nëse përgjimi është kryer për qëllime shantazhi dhe kontrolli, SPAK nuk mund t’a pranojë me shkresë zyrtare përgjimin, pasi do ngarkonte veten me përgjegjësi penale. Meterialet produkt i përgjimit zhduken ose mbahen në telefonat e Dadove, me qëllim për të shuar kureshtjet maniakale ose për t’i përdorur për hamshorllëqe. Megjtihatë, autorizimet për përgjime pa miratimin e gjyaktës, vështirë të zhduken për shkak të aksesit të agjentëve të BKH dhe Operacionales që mundëson përgjimin.
SHISH, policia dhe kryeministri Edi Rama duhet të jetë në dijeni të përgjimeve abuzive të disa prokurorëve të SPAK dhe përdorimit të materialeve në telefonat e skuestruar për zjarret e brendshme seksuale. Ndoshta pakkush e ka kuptuar një mesazh të kryeministrit Edi Rama disa ditë më parë kur tha se nuk duhen gjyqtarët noterë. “Këto paraburgimet dhe këto noterizimet në GJKKO, këto nuk i pranoj më, nuk i pranoj më”, theksoi Rama. Disa gjyqtarë të GJKKO janë kthyer në noterë të SPAK-ut, ndërkohë që një noter si Ols Dado është emëruar prokuror pa plotësuar kriteret ligjore, ku vijon të mos japë dorëheqjen edhe pse paligjshmëria e tij është bërë publike dhe shumë shpejt do jenë objekt hetimi, përfshirë edhe fshehjen e pasurisë dhe shpërdorimin e detyrës.