Publikohet dokumenti i plotë i Komisionit Europian mbi Strategjinë për Ballkanin Perëndimor për një ‘perspektivë të besueshme të zgjerimit dhe për angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor’, me anë të së cilit BE-ja përcakton nisma dhe mbështetje të reja kyçe për rajonin e nxitur nga reforma.
Në dokument theksohet qartë se:”Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë janë duke shënuar progres të ndjeshëm në rrugët e tyre evropiane dhe Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, në bazë të kushteve të përmbushura”.
PERMBAJTJA E PLOTE E DOKUMENTIT:
Siç kishte paralajmëruar Presidenti Juncker në fjalimin e tij të ‘Gjendjes së Unionit’ në vitin 2017, Komisioni miratoi sot strategjinë për ‘perspektivën e besueshme të zgjerimit dhe për angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor’, duke konfirmuar të ardhmen evropiane të rajonit si investim gjeostrategjik në një Evropë stabile, të fortë dhe të bashkuar, të bazuar në vlera të përbashkëta. Në të përcaktohen prioritetet dhe fushat e bashkëpunimit të përbashkët të përforcuar, duke adresuar sfidat specifike me të cilat përballet Ballkani Perëndimor, në veçanti nevojën për reforma thelbësore dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Perspektiva e besueshme e zgjerimit kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe reforma të pakthyeshme. Progresi përgjatë rrugëtimit evropian është proces objektiv dhe meritor i cili varet nga rezultatet konkrete të arritura nga secili vend individual.
Sot, Komisioni Evropian paralajmëroi gjashtë nisma kyçe – veprime specifike që BE do t’i ndërmerr gjatë viteve të ardhshme për t’i mbështetur përpjekjet transformuese të Ballkanit Perëndimor në fushat me interes të ndërsjellë. Këto përfshijnë nismën për fuqizimin e sundimit të ligjit, forcimin e bashkëpunimit për sigurinë dhe migrimin përmes ekipeve të përbashkëta hetuese dhe gardës kufitare dhe bregdetare evropiane, zgjerimin e Unionit Energjetik të BE-së në Ballkanin Perëndimor apo uljen e tarifave të romingut dhe futjen e broadband-it në rajon. Po ashtu, Strategjia nënvizon nevojën që BE të jetë e gatshme të mirëpresë anëtarë të rinj pasi t’i kenë përmbushur kriteret.
Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker theksoi: “Investimi në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor do të thotë investim në sigurinë dhe të ardhmen e Unionit tonë. Ndonëse nuk do të ketë zgjerime të mëtejshme nën këtë mandat, sot Komisioni Evropian është duke e shtruar rrugën Evropiane përpara për Ballkanin Perëndimor. Me vullnet të fortë politik, reforma reale dhe të qëndrueshme, si dhe zgjidhje përfundimtare për kontestet me fqinjët, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ecin tutje në rrugët e tyre evropiane. Nëse do të arrihet kjo, varet nga meritat e tyre objektive. Komisioni Evropian do të jetë rigoroz por gjithashtu edhe i drejtë. Unë do të udhëtoj në secilin vend të Ballkanit Perëndimor në fund të këtij muaji me një porosi të qartë: vazhdoni me reforma dhe ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në të ardhmen tuaj evropiane.”
Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini komentoi: “Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës: ne ndajmë të njëjtën histori, të njëjtën gjeografi, të njëjtën trashëgimi kulturore dhe të njëjtat mundësi dhe sfida, sot dhe në të ardhmen. Ne kemi interes të përbashkët që të punojmë gjithnjë e më afër njëri-tjetrit për t’i garantuar popullit tonë zhvillim ekonomik dhe social, si dhe siguri. Kjo strategji tregon rrugën që kemi para nesh: që të gjashtë partnerët tanë ta tejkalojnë njëherë e përgjithmonë të kaluarën, që të gjithë së bashku ta bëjmë procesin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian të pakthyeshëm dhe ta vazhdojmë ribashkimin e Kontinentit. Kjo Strategji siguron një perspektivë të përbashkët, të qartë, të paekuivok, të besueshme dhe konkrete për integrimin evropian të secilit nga gjashtë partnerët tanë. Muajt në vijim jo vetëm që do të jenë intensivë por edhe vendimtarë për të siguruar që nuk humbet kjo mundësi historike dhe unike”.
Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn theksoi: “Sot konfirmojmë se dera e Bashkimit tonë është e hapur për Ballkanin Perëndimor i cili tashmë është një enklavë e rrethuar nga BE-ja, dhe se oferta jonë është e sinqertë. Me qasjen e re, të mbështetur me masa konkrete, do të forcojmë procesin e zgjerimit, i cili nga ana tjetër kërkon angazhim dhe reforma të besueshme, veçanërisht për forcimin e sundimit të ligjit. Duhet të punojmë për të mirën e qytetarëve”.
Fokusi në reforma bindëse dhe pajtim
Për t’i përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE dhe në interesin e tij vetanak, Ballkani Perëndimor duhet të zbatojë reforma gjithëpërfshirëse në fusha kyçe. Sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisja duhen forcuar konsiderueshëm. Reformat gjyqësore, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reforma e administratës publike duhet të japin rezultate reale, dhe funksionimi i institucioneve demokratike duhet të avancohet ndjeshëm. Reformat ekonomike duhet të ndiqen me ngulm ashtu që të trajtohen dobësitë strukturore, konkurrueshmëria e ulët dhe shkalla e lartë e papunësisë.
Të gjitha vendet duhet të japin zotime të qarta, në letër dhe në vepër, për tejkalimin e çështjeve të së kaluarës, duke arritur pajtim dhe zgjidhje të çështjeve të hapura, veçanërisht kontesteve kufitare, para anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duhet të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme të normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që ato të mund të avancojnë në rrugët e tyre evropiane.
Gjashtë nisma kyçe për të mbështetur transformimin e Ballkanit Perëndimor
BE-ja veçse është donatori dhe investitori më i rëndësishëm në rajon si dhe partner politik i Ballkanit Perëndimor. BE është gjithashtu partneri më i madh tregtar i Ballkanit Perëndimor me gjithsej vëllim vjetor tregtar prej 43 miliardë euro (2016). Sot, Komisioni Evropian ka përcaktuar gjashtë nisma kyçe të cilat do të fuqizojnë më tutje bashkëpunimin tonë në një numër fushash dhe do të mbështesin procesin e transformimit në Ballkanin Perëndimor. Këto nisma kyçe synojnë fusha specifike të interesit të përbashkët: sundimi i ligjit, siguria dhe migrimi, zhvillimi socio-ekonomik, transporti dhe lidhja energjetike, agjenda digjitale, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Veprimet konkrete në këto fusha parashihen në periudhën 2018-2020.
Për të realizuar Strategjinë e Ballkanit Perëndimor dhe për të mbështetur tranzicionin e qetë drejt anëtarësisë, financimi adekuat është i domosdoshëm. Komisioni Evropian propozon rritjen graduale të financimit në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA) deri më 2020 për aq sa lejojnë rialokimet brenda kornizës ekzistuese. Vetëm për vitin 2018 janë paraparë 1.07 miliardë euro të asistencës së para-anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor, që i shtohen gati 9 miliardë eurove në periudhën 2007-2017.
Hapat e ardhshëm në rrugëtimin evropian
Politika e zgjerimit të BE-së duhet të jetë pjesë përbërëse e strategjisë më të gjërë për të forcuar Unionin deri më 2025, të shpalosur nga Presidenti Juncker në fjalimin e tij të Gjendjes së Unionit të shtatorit 2017 dhe Udhërrëfyesit të tij për një Union më të bashkuar, më të fortë dhe më demokratik. Përderisa BE-ja mund të bëhet më e madhe se 27-anëtarëshe, dinamika e lëvizjes përpara në rrugëtimet e tyre përkatëse evropiane për të gjithë Ballkanin Perëndimor bazohet në meritat e tyre dhe në shpejtësinë e tyre, varësisht nga rezultatet konkrete. Strategjia shpjegon hapat që duhet të ndërmerren nga Mali i Zi dhe Serbia për të përfunduar procesin e anëtarësimit në perspektivën 2025; përderisa të tjerët mund ta zënë hapin, Mali i Zi dhe Serbia janë dy vendet e vetme me të cilat tashmë kanë filluar bisedimet e anëtarësimit. Kjo perspektivë përfundimisht do të varet nga vullneti i fortë politik, realizimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm i reformave, si dhe zgjidhjet përfundimtare të kontesteve me fqinjët.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësinë që të lëvizin përpara në rrugët e tyre evropiane. Komisioni i vlerëson të gjitha vendet në mënyrë të drejtë dhe objektive, bazuar në meritat e tyre vetanake dhe në shpejtësinë sipas së cilës ato arrijnë progres. Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë janë duke shënuar progres të ndjeshëm në rrugët e tyre evropiane dhe Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, në bazë të kushteve të përmbushura. Komisioni do të fillojë të përgatisë një Opinion lidhur me aplikimin për anëtarësim të Bosnje dhe Hercegovinës pas pranimit të përgjigjeve gjithëpërfshirëse dhe të plota në pyetësorin e saj. Me përpjekje dhe angazhim të qëndrueshëm, Bosnje dhe Hercegovina mund të bëhet kandidat për anëtarësim. Kosova ka një mundësi për progres të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe për të avancuar rrugëtimin e saj evropian, sapo të lejojnë rrethanat objektive.
Përkushtimi politik i liderëve të rajonit
Ka shumë punë për tu bërë që shtetet në fjalë të jenë në pozitë t’i përmbushin kushtet dhe kriteret për anëtarësimin në BE. Strategjia nënvizon që liderët në rajon nuk duhet të lënë asnjë dyshim lidhur me orientimin dhe zotimin e tyre strategjik. Përfundimisht do të jenë ata që duhet marrë përsipër përgjegjësinë për ta bërë këtë mundësi historike një realitet.
Përgatitja e BE-së për të mirëpritur anëtarët e rinj
BE-ja vetë duhet të jetë gati për anëtarët e rinj të familjes – sapo t’i kenë përmbushur kushtet – duke përfshirë edhe nga këndvështrimi institucional dhe financiar. Bashkimi duhet të jetë më i fortë, më solid dhe më efikas para se të jetë më i madh. Për të siguruar vendimmarrje efektive, duhet të shfrytëzojmë votimin me shumicë të kualifikuar në Këshill në fushat e politikave ku kjo tashmë është e paraparë. Përveç kësaj, Komisioni Evropian do t’i paraqesë mundësitë për avancimin e mëtejmë të përdorimit të votimit të shumicës së kualifikuar në tremujorin e tretë të vitit 2018 – siç është paralajmëruar nga Presidenti Juncker në fjalimin e tij të Gjendjes së Bashkimit të vitit 2017.
Për t’i trajtuar kërcënimet sistematike apo shkeljet e sundimit të ligjit në çdo shtet anëtar të BE-së nevojitet një sistem më efektiv, dhe një nismë e Komisionit që pritet të realizohet në tetor 2018.
Në fund, duhet të vendosen aranzhime të veçanta për të siguruar që shtetet e ardhshme anëtare nuk janë në pozitë të bllokojnë anëtarësimin e vendeve të tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor.